NGA BUJAR QESJA

Sot, në orën 06:40 të mëngjesit, në spitalin e Durrësit, u shua përgjithmonë një nga figurat më të shquara të sportit shqiptar Niko Kurani, 85 vjeç. Largimi i tij lë një boshllëk të madh në qytetin bregdetar, në sportin e notit dhe në komunitetin e gjerë qytetar që e adhuronte dhe e respektonte si një simbol të vërtetë.

Lindur në një familje me histori të pasur dhe plot idealizëm, Niko ishte djali i Ibrahim Kuranit, luftëtar i Brigadave Ndërkombëtare në Luftën e Spanjës më 1936. Pikërisht aty babai i tij u njoh e u martua me një spanjolle, ndaj Niko mbante në vete edhe gjakun e nënës nga Andaluzia, trashëgimi që i dha shpirt, dritë dhe temperament të veçantë.

Tre vëllezërit Niko, Luani dhe Abedini, formuan një familje të nderuar në qytetin e Durrësit. Sot, pasi Abedini është larguar më herët edhe Niko mbyll kapitullin e kësaj dere të respektuar.

Jeta e tij u godit rëndë që në vitin 1977, kur humbi djalin e vetëm Arbenin 26 vjeç, në Itali. Në vitin 2019 i u shua edhe bashkëshortja, Verushe Myshketa. Me ikjen e Nikos shuhet e gjithë familja e tij, një dhimbje e thellë që prek jo vetëm të afërmit, por edhe gjithë ata që e njohën, e deshën dhe e nderuan.

Lajmin për ndarjen nga jeta e dha neurologia e njohur e spitalit të Durrësit, doktoresha Eda Harizi, e cila u shpreh:

“Luftuam shumë për t’ia shpëtuar jetën, por goditja hemorragjike ishte shumë e fuqishme.”

Një jetë e lidhur me detin, që në fëmijëri

Niko Kurani e nisi notin që fëmijë. Dhuntia e tij u dallua menjëherë. U përfshi në ekipet e “Lokomotivës” së Durrësit, ku shumë shpejt filloi të thyente rekorde kombëtare dhe të shpallej kampion, veçanërisht në garat e stilit të lirë. Ky talent i lindur u konkretizua me tituj të shumtë dhe vlerësime të rëndësishme.

U nderua me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Notit Shqiptar”, si dhe me vlerësime të shumta qytetare nga Bashkia Durrës. Ishte një nga figurat emblematike të sportit kombëtar, një nga ato emra që nuk fshihen kurrë nga kujtesa.

Trajner, edukator, mjeshtër i brezave

Pasi mbylli karrierën si sportist, Niko u përkushtua me pasion të plotë punës së trajnerit. Drejtoi ekipet e “Lokomotivës”, ku veçanërisht me vajzat arriti rezultate të shkëlqyera, duke i nxjerrë kampione kombëtare.

Në mesin e viteve ’70 –të mori drejtimin e ekipeve kombëtare të notit dhe realizoi një grumbullim dy mujor në Republikën Popullore të Kinës, përvojë profesionale e rrallë për kohën, që e pasuroi edhe më shumë si specialist i notit.

Edhe pas daljes në pension, nuk u nda kurrë nga deti. Currilat, plazhi ikonik i notit durrsak, ishin shtëpia e tij e dytë. Çdo mëngjes ishte aty, ku dikur stërviteshin dhe garonin kampionët e “Lokomotivës”. Aty takonte miq, nostalgjikë, sportistë veteranë ku kalonte kohën me njerëzit, që e donin dhe e respektonin.

Një qytetar simbol, idhull i tifozërisë durrsake

Emri i tij ishte sinonim i kulturës sportive dhe qytetarisë së lartë durrsake. Ishte kolos, kavaljer, “senator” i notit shqiptar. Një njeri i urtë, i qetë, me fisnikëri dhe mirësjellje të rrallë.

Dhimbja për humbjen e tij është e jashtëzakonshme. Shokë të sportit, ish-notarë, trajnerë dhe dashamirës të detit janë të pikëlluar thellë.

Notari që e shoqëroi Niko Kuranin, që kur ishte vetëm 10 vjeç Murat Gjuzi, i cili ndodhet i sëmurë e i shtruar në një spital në Itali, ka shprehur dhimbjen e pakufishme për humbjen e njeriut që i qëndroi pranë gjithë jetën. Po kështu, Kryetari i veteranëve të notit Shqiptar, Sadik Mema, si dhe mjeshtri i Madh i notit Petrit Guma, ndodhen në ditë zie dhe trishtimi.

Një humbje e madhe për Durrësin dhe sportin shqiptar.

Largimi nga jeta i Niko Kuranit, nuk është thjesht humbja e një sportisti të madh. Është largimi i një epoke, i një brezi që e ndërtoi me duart e tij lavdinë e sportit durrsak.

Niko Kurani mbetet shembull frymëzimi, nderi dhe mirësie. Ai është pjesë e artë e historisë së qytetit të Durrësit dhe e notit shqiptar. Do të jetojë përgjithmonë në kujtimet e brezave që u rritën nën vlerat e tij.

U prehtë në paqe kampioni ynë!

Deti i Durrësit, do të ketë gjithmonë emrin tënd në valë.