Një ngjarje e rëndë tronditi dje opinionin publik, ku avokati Sokol Mëngjesi u sulmua barbarisht nga katër persona, në derën e kopshtit teksa po linte djalin.

Mësohet se avokati Sokol Mëngjesi vijon në monitorim intensiv në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Avokati vijon i shtruar në spital që prej mëngjesit të djeshëm. Autorët e sulmit janë identifikuar si Romario Tabaku 26 vjeç, Dorian Alia 32 vjeç, Drivald Alia 21 vjeç , Elton Kasaj 33 vjeç.

Policia sqaroi dje se Romario Tabaku ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij. Sipas policisë, Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës.

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj bën ne dije se shkaku i dhunimit ka qenë për shkak të detyrës dhe se lidhet me një proces gjyqësor civil, për një çështje pronësie.

Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në Apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore.