Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, pasi aktorja Imani Dia Smith, e njohur për rolin e saj si Nala e Re në versionin e Broadway-t të filmit të famshëm të Disney-t “The Lion King”, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare pas një sulmi me thikë nga i dashuri i saj.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut Middlesex në New Jersey, ngjarja ndodhi më 21 dhjetor.
Policia e qytetit Edison iu përgjigj një telefonate emergjente në 911, ku gjeti aktoren të plagosur rëndë.
Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar Robert Wood Johnson, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u shpall e vdekur.
I dyshuari, Jordan D. Jackson-Small, i dashuri i Smith, u arrestua menjëherë pas incidentit. Prokurorët e kanë akuzuar atë për vrasje të shkallës së parë, rrezikim të mirëqenies së një fëmije të shkallës së dytë, si edhe posedim të armës për qëllime të paligjshme.
Imani Dia Smith la pas djalin e saj trevjeçar, prindërit, dy vëllezërit, motrat më të vegjël si dhe një rreth të gjerë familjarësh dhe miqsh.
Për të mbështetur familjen dhe veçanërisht të ardhmen e fëmijës së saj, halla e aktores, Kira Helper, ka hapur një faqe në GoFundMe. Fushata synonte mbledhjen e 55 mijë dollarëve dhe brenda pak ditësh janë mbledhur mbi 47 mijë dollarë.





