Biznesmeni spanjoll Eugenio Galdon, do të kthehet sërish në Shqipëri, pavarësisht se gjatë verës teksa ishte me familjen, u sulmua nga Mihal Kokëdhima, pronari i lokalit “Panorma” në Porto Palermo. Ai lajm asokohe bëri xhiron e mediave, së bashku me videon e dhunës.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka zhvilluar në mëngjes një takim në Madrid me biznesmenin, i cili i ka pohuar se këtë radhë do të kthehet të japë kontributin e tij pas pasojave të tërmetit tragjik në vendin tonë.
Biznesmeni do të rindërtojë një shkollë të dëmtuar nga tërmeti. Ai deklaroi se kontributi i kësaj familjeje, do të vijë përmes Kryqit të Kuq, ndërkohë që edhe vetë djemtë e familjes Galdon do të jenë të pranishëm. Më tej, ai ka theksuar se do të kthehet me anije të vizitojë prapë vendin tonë.
Postimi i Klosit:
Në Madrid, mëngjesi me Eugenio Galdon, që nga një incident i papranueshëm në verë, është shndërruar tashmë në mikun e Shqipërisë.
“Sa më shumë kalon koha, aq më shumë Shqipëria fiksohet në memoriet tona si vendi i një panorame natyrore të jashtëzakonshme dhe njerëzve mikpritës. Mihal Kokëdhima nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët”, thotë Eugenio.
Familja Galdon do të rikthehet në Shqipëri, por këtë herë në një tjetër cilësi: kontribuesit për rindërtimin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti. Kontributi i kësaj familje, do të vijë përmes Kryqit të Kuq dhe vetë djemtë e familjes Galdon do të jenë prezentë në vendin tonë.





