Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar 115 kg mishi qengji dhe keci në 23 karkasa, të therura në mënyrë të paligjshme në një stallë bagëtish në pronësi të shtetasit Adem Seriani në malin Sopot të Delvinës.

Trupa inspektimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Vlorë, gjatë kontrollit në këtë stallë bagëtish ka sekuestruar në mënyrë të menjëhershme 23 karkasat e qengjave dhe kecave në masën e 115 kg .

Për therje dhe tregtim të mishit  në mënyrë të paligjshme, trupa inspektuese e AKU-së, ka marrë masën administrative ndaj këtij shtetasi me vlerën e 100 mijë lekëve dhe gjithashtu ka bërë edhe bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit .

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i vendosur për të gjurmuar dhe ndaluar çdo therje jashtë thertoreve edhe në zonat më të largëta, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregëtimi jashtë standardeve. Në këto ditë festash trupat inspektuese të AKU-së janë duke intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin,  për të parandaluar çdo tentativë abuzimi. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët," shkruan në njoftimin e AKU.