Në banesat e dy viktimave të atentatit u hapën dyert e mortit. 35-vjeçari Dorjan Shkoza është përcjellë sot në banesën e fundit, ndërsa familjarët vendosën që varrimi të kryhej në Shijak.
Ndërsa 24-vjeçari Anxhelo Avdiu do të përcillet ditët e nesërme pasi pritet të mbërrijë nga jashtë vëllai i tij për t’i dhënë lamtumirën. Të afërmit thanë se Anxhelo ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga Anglia dhe nuk ka thënë gjë për ndonjë konflikt.
“Ata janë rritur jetimë sepse babai i braktisi të tre fëmijët. Më shumë janë rritur jashtë se nuk kanë patur as shtëpi, asgjë. Janë tre fëmijë. Dy djem e një vajzë. Anxhelo iku jashtë shtetit, edhe i vëllai ka ikur është në Gjermani e kthehet për varrimin e Anxhelos. Motra me një fëmijë është ndarë dhe ka ardhur jeton me të ëmën. Një dhomë që kanë ua kanë ndërtuar këta të shoqatës së romëve që të mos flinin jashtë, se jashtë në qiell të hapur më shumë pa bukë e në mjerim janë rritur. Edhe tani që u rritën u vra djali në derë të shtëpisë. Nuk e dimë kush e pse e vranë, kush na e thotë? Ta dimë pse u vra”, tha tezja e Anxhelos mes lotëve.
K.H.





