Ashtu siç u përcaktua që dje, sot është ditë zie për Kosovën. Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë, në nder të efektivit të policisë së Kosovës, Sami Thaçi, i cili u vra në krye të detyrës. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i akordoi urdhrin “Hero i Kosovës” policit Sami Thaqi.
“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabël dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, ka thënë kreu i shtetit.
Polici Sami Thaçi ka rënë në krye të detyrës, mbrëmjen e së martës gjatë një grabitje të një shtëpie në Zhur të Prizrenit, ku ndodhi dhe një shpërthim. Nga ky shpërthim janë plagosur edhe dy policë të tjerë dhe një fëmijë i asaj shtëpie.





