Trupi i vajzës palestineze Rayyan Alwan, e cila u vra nga i ati në banesën e marrë me qira në Tiranë, është tërhequr nga të afërmit e saj disa ditë më parë.

Ende nuk dihet zyrtarisht se kush e ka tërhequr trupin miqtë apo familjarët e 24-vjeçares

Miqtë e Rayyan Alwan kontaktuan New24 dy javë më parë ku shprehën dëshirën e tyre për të tërhequr trupin e 24-vjeçares.

Rayyan Alwan u masakrua me thikë nga babai i saj, Fadi Alwan, i cili ndodhet në arrati.

Krimi dyshohet se ka ndodhur më 22 Shkurt pranë bllokut të ambasadave në Tiranë, në banesën që kishin marrë me qira.

Personi i fundit që ka komunikuar me viktimën ka qenë i dashuri i saj libanez, të cilin e ka njohur në Gjermani. Mësohet se ai punonte në një supermarket në Gjermani pranë restorantit ku punonte Rayan.

Në komunikimet në WhatsApp, i dashuri i 24-vjeçares shprehet i shqetësuar se pse ajo nuk i kthen përgjigje, ndërsa Rayyan i kërkon që të kujdeset për veten.

Biseda e fundit mes tyre është zhvilluar në datën 19 Shkurt, ndërsa pas atij momenti viktima nuk i ka kthyer më përgjigje partnerit të saj.

Trupi i saj i pajetë u gjet në apartamentin në rrugën “Gjon Muzaka” më 27 Shkurt, disa ditë pas krimit, ndërsa babai i saj, i cili fillimisht u raportua se ishte bashkëshorti, është larguar jashtë territorit të Shqipërisë.