Trupi i të ndjerës Valentina Mamaj Vruzhi, e cila u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj Petrit Mamaj, do të përcillet për në banesën e fundit në Levan, nga familjarët e saj.

Fqinjë të familjes Mamaj kanë treguar se çifti ka qenë i qetë, nuk ka pasur probleme e grindje, madje janë shprehur të shokuar nga ajo që ka ndodhur.

Ata deklarojnë se 50-vjeçarja ishte një grua e mirë, e nderuar që ishte kujdesur dhe për prindërit e të shoqit.

Nuk kanë qenë njerëz të konflikteve dhe të sherreve. Kanë qenë njerëz punëtorë, ulnin kokën punonin të dy burrë e grua të rrisnin kalamajtë, të ushqenin kalamajtë”, tha një fqinjë.

“Me të shoqin kisha llafosur nja 2-3 herë, më dukej si çun i mirë, nuk e di. Krim është”, u shpreh një banor.

“Njerëz më të mirë nuk bëhen. Këtë përshtypje kemi dhe na ka dhembur shpirti. Pse ndodhi kjo. Ne kemi 50 vjet këtu, njerëz të mrekullueshëm, familje e mrekullueshme, njerëz pa probleme. Se marrim vesh si erdhi. Gjynah është. E njohim shumë familje të mirë. U habitëm. Ata janë plakur tani, ne i kemi gjetur çuna”, u shprehën dy fqinje të familjes Mamaj.