Klodian Braho është zgjedhur kryetari i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme, Braho ka deklaruar se sfida më e madhe e SPAK është të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Ai u shpreh se SPAK duhet të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendës drejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re. Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Klodian Braho është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike.

Braho është prokurori që udhëhoqi hetimin e inceneratorit të Elbasanit, një dosje voluminoze dhe komplekse, nga e cila lëshoi urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.

Ai ka çuar përpara edhe dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër hetim i rëndësishëm i tij është ai i “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Dosja është e fragmentuar në disa degë, të cilat vijojnë të hetohen ende.