22 maj 2015 – Skuadra U-17 po vijon me intensitet punën në drejtim të përgatitjeve për ndeshjen e “play-off”-it me ekipin e Vllaznisë. Sipas drejtuesve të Akademisë Teuta, ekipi po stërvitet me kapacitet të plotë dhe gjithçka po shkon sipas parashikimeve. Drejtuesit e akademisë shprehin keqardhje që arritën vetëm me ekipin U-17 në “play-off”, pasi qëllimi ishte që në këtë fazë akademia të përfaqësohej me dy ekipe, pra me atë U-17 dhe U-19.Por, Teuta U-19 u privua nga kjo mundësi, pasi në ndeshjen e fundit u mund në shtëpi nga Tirana.

Drejtori i Akademisë Teuta, Gentian Dudushi, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, tha se akademia po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe objektivi i radhës ngelet që puna e mirë e dy trajnerëve; Ilir Biturku dhe Shpend Marku, të finalizohet me titullin kampion.

“Po punojmë për ndeshjen e radhës së ‘play-off’-it, ku skuadra jonë U-17 do të përballet me Vllazninë. Skuadra po punon me ritme të larta dhe gjithçka po shkon sipas parashikimeve. Në skuadër mbizotëron optimizmi dhe të gjithë kemi besim se do t’ia dalim me sukses. Ne kishim mundësi të përfaqësoheshim me dy skuadra në ‘play-off’, me ekipin U-17 dhe U-19, por ky i fundit u mund në ndeshjen e fundit nga Tirana, e cila ndodhej në vendin e fundit dhe, për pasojë, u privua nga kjo mundësi. Ne kemi besim se të rinjtë tanë do të bëjnë një performancë të shkëlqyer në përballjen e fundit me Tiranën në Superiore, ku pritet të aktivizohen disa të rinj”, u shpreh numri një i Akademisë së Teutës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/