Në kuadër të aktiviteteve vjetore që organizohen në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, në Fakultetin e Edukimit u organizua një aktivitet me temë: “Qytetaria dhe përfshirja e të rinjve në veprime qytetare, domosdoshmëri për zhvillimet demokratike në vend”. Ky aktivitet u organizua nga pedagogia e këtij fakulteti Dr.Lindita Lutaj në bashkëpunim me studentët e vitit të tretë Mësuesi Arsim Parashkollor dhe studentët e vitit të parë Master Profesional Mësuesi për Arsim Fillor.

Aktiviteti u përshëndet nga dekani i këtij Fakulteti Prof.As.Dr.Jani Sota, i cili vlerësoi lart rolin e studentëve dhe punën e tyre për finalizimin e këtij aktiviteti. Mes të tjerash, ai theksoi se studentët gjithmonë do të gjenin te ai mbështetjen në finalizimin e aktiviteteve të tilla, duke krijuar mundësi dhe ura bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Në këtë aktivitet foli edhe pedagoge Dr.Lindita Lutaj, e cila vlerësoi lart punën e bërë nga studentët gjatë vitit akademik 2016 – 2017. Në fjalën e saj, ajo theksoi edhe mbështetjen që kanë patur nga Rektorja e këtij universiteti Prof.Dr.Kseanela Sotirofski, e cila me politikat që ka ndjekur në këtë universitet ka bërë që zëri i studentëve të dëgjohet dhe të vlerësohet si duhet. Falenderim edhe për Dekanin e Fakultetit të Edukimit Prof.As.Dr.Jani Sota, i cili gjithmonë ka qenë pranë halleve, problemeve dhe arritjeve të studentëve të këtij Fakulteti. Prezente ishte edhe përgjegjësja e departamentit të Pedagogjisë Dr.Katerina Cycja, e cila vlerësoi punën e bërë nga pedagogia në bashkëpunim me studentët.

Në sallën e konferencave u mbajtën kumtesa nga një grup studentësh, të cilët paraqitën punën e bërë në grupe pune në bashkëpunim me shokët e tyre. Kumtesa pati mbi tolerancën, nga Flavia Goseni; disa këshilla për të qënë qytetarë të mirë, nga Elisa Tafa; mbi demokracinë dhe qytetarinë në Amerikë, nga Sara Keci; mbi barazinë gjinore, nga Borëbardha Sefolli, eksperiencat angleze në drejtim të edukimit qytetar, nga Manjola Shero; mbi vlerën e vullnetarizmin nga Hane Spaho etj.

Pas kumtesave, me studentët u organizua një vizitë te shtëpia e foshnjeve në Shkozet, ku studentët dhuruan pako me ndihma në veshje, lodra dhe ushqime për këta fëmijë. Ata fëmijë kanë nevojë për shumë dashuri, përkrahje, mbështetje, prandaj le të mbizotërojë dashuria, paqja, mirëkuptimi, tolerance, sepse kjo na bën më shumë qytetar, të denjë për një shoqëri evropiane.

Studentët vizituan ambjentet e shtëpisë së foshnjes dhe ju falën shumë dashuri fëmijeve, duke kaluar disa orë të këndshme me ta.

Sot kemi nevojë për aktivitete të tilla, pasi demokracia nuk mund të ndërtohet nga radhët e ngushta dhe nga mendjet e mbyllura. Sipas metaforës së Karl Popper –it, ajo kërkon një shoqëri të hapur.

K.H.