Universiteti “Aleksandër Moisiu” vazhdon procesin e ndërkombëtarizimitt duke u bërë pjesë e Rrjetit të Universiteteve Mesdhetare (UNIMED).

UNIMED, i themeluar në tetor 1991 njihet si vatër e universiteteve nga vendet e pellgut të Mesdheut, numëron 112 universitete anëtare, që vijnë nga 23 vende të të dy brigjeve të Mesdheut (deri në qershor 2018).

Qëllimi i UNIMED-it është të zhvillojë arsimin dhe kërkimin shkencor në universitetet e rajonit të Euro-Mesdheut për të kontribuar në zhvillimin e tyre shkencor, kulturor, social dhe ekonomik.

UNIMED kryen këto aktivitete në favor të universiteteve anëtare:

Promovim të dimensionit ndërkombëtar të universiteteve;

Aktivitete planifikimi dhe mbledhje fondesh;

Promovim i mobilitetit në rajonin Euro-Mesdhetar, për studentët, studiuesit dhe stafin akademik;

Asistencë teknike për rritjen e sigurimit të cilësisë në arsimin universitar;

Krijimi i nën-Rrjeteve tematike për të nxitur bashkëpunimin shkencor brenda fushave specifike;

Organizimi i takimeve, diskutimeve, seminareve dhe tryezave të rrumbullakëta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;

Trajnim për stafin akademik dhe administrativ të universiteteve, veçanërisht për personelin e zyrave të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ky anëtarësim dëshmon edhe njëherë synimin e UAMD-së për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme kombëtare e rajonale sa i përket bashkëpunimit akademik universitar, kërkimit shkencor, dhe promovimit të vlerave zhvillimore e qytetare në arsimin e lartë.