Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, në bashkëpunim me disa gjimnaze dhe shkolla 9-vjeçare të qytetit, si dhe me lëvizjen “River Clean Up”, organizoi një aktivitet sensibilizues për mbrojtjen e mjedisit.
Mbrojtja e ekosistemit dhe natyrës, shtimi i hapësirave të gjelbra dhe evitimi sa më shumë i përdorimit të materialeve plastike janë ndër thirrjet e vazhdueshme të ambientalistëve në ditët e sotme.
Për t’iu bashkuar këtyre apeleve, studentët e UAMD dhe nxënësit e shkollave të Durrësit u bënë sërish bashkë për të mbledhur një sasi të konsiderueshme shishesh plastike dhe materiale të tjera, të cilat më pas u dorëzuan në bizneset ricikluese të qytetit.
Me flamurin kuqezi në duar dhe pankarta të shumta, të rinjtë e qytetit përcollën mesazhe të forta për mbrojtjen e mjedisit.
Rektori i UAMD, Shkëlqim Fërtuzi, përshëndeti këtë nismë të studentëve dhe nxënësve, duke theksuar në një deklaratë për mediat se universiteti i është bashkuar jo pak herë këtyre fushatave ndërgjegjësuese, me synimin për të garantuar për të gjithë qytetarët një mjedis më të sigurt dhe një cilësi jete më të mirë.
Ndër të tjera, Fërtuzi theksoi se krijimi i hapësirave të gjelbra dhe mbjellja e pemëve janë një shembull qytetarie.
“UAMD ka nisur një projekt për gjelbërimin e kampusit të ri, ku deri më tani janë mbjellë rreth 700 pemë. Gjithashtu, po punohet me stafin akademik dhe studentët për të hequr dorë nga përdorimi i letrës për detyrat e kursit, të cilat do të dorëzohen tashmë në format elektronik.”