Profesoresha dhe filozofia e njohur e London School Economics Lea Ypi ka marrë titullin akademik “Doctor Honoris Causa” nga universiteti “Aleksander Moisiu” në Durrës. Në një ceremoni që u zhvillua në mjediset e këtij Universiteti, morën pjesë përfaqësues të senatit akademik, pedagogë, të afërm si dhe deputetë e të ftuar.
Fillimisht të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër rreth jetës së Lea Ypit në Durrës dhe emigrimit pas viteve ’90. Ceremoninë e përshëndeti nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu, e cila vlerësoi rolin e Lea Ypit jo vetëm si profesore, por edhe si intelektuale me.përmasa ndërkombëtare.
Rektori Shkëlqim Fortuzi vlerësoi kontributin akademik të Lea Ypit duke theksuar kontributin e saj në lirinë politike dhe angazhimin e saj në çështjet e lirisë.
Profesor doktor Lea Ypi, tashmë edhe Doctor Honoris Causa, u shpreh tejet e emocionuar në fjalën e saj përshëndetëse duke thënë se ky është titulli më i rëndësishëm, që ajo merr për karrierën e saj akademike.

Lea Ypi është një filozofe dhe akademike shqiptare me famë ndërkombëtare. Ajo është profesore e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science (LSE) dhe punon gjithashtu si studiuese në universitetin “Australian National University”.
Lea Ypi mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me librin e saj “Free: Coming of Age at the End of History” (2021), ku rrëfen fëmijërinë e saj në Shqipëri gjatë viteve të fundit të komunizmit dhe tranzicionit pas vitit 1990. Libri është përkthyer në 30 gjuhë dhe ka fituar disa çmime.





