“Via Egnatia, një rrugë inteligjente” është konferenca ndërkombëtare, që po zhvillohet në fakultetin e Biznesit në UAMD.

E njohur si një nga rrugët më të mëdha e më të rëndësishme, që lidhte kolonitë e perëndorisë romake, traseja e kësaj rruge në vendin tonë nga Durrësi në Qafë Thanë është një dëshmi autentike, e ruajtur që nga antikiteti

Qëllimi i konferencës është bërja bashkë e stafeve akademike të Italisë dhe rajonit si dhe institucioneve vendore për të shfrytëzuar në shërbim të turizmit potencialin e trashëgimisë kulturore që disponon gjurma e “Via Egnatia”.

Rektori Shkëlqim Fortuzi: “Sot në cilësinë e rektorit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës i hap zyrtarisht punimet e kësaj konference ndërkombëtare, që është një ngjarje që i tejkalon kufinjtë e një forumi akademik dhe shndërrohet në një urë të gjallë ndërveprimi midis dijes, historisë, zhvillimit dhe inovacionit”.

Violeta Aliaj – Lektore, Departamenti i turizmit: “Kjo konferencë synon të evidentojë “Via Egnatia”-n në të gjithë gjatësinë e saj, duke filluar nga Italia e në vazhdim deri në Turqi. Jemi përpjekur gjatë organizimit të konferencës të kemi një shtrirje të të gjitha vendeve që janë prekur nga kjo rrugë për ta evidentuar dhe rivitalizuar sin ë aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektet e tjera sociale, kulturore, të trashëgimisë etj”.

Për eksperten e turizmit dhe ish-alumnen Flora Xhemani, zbulimet në fushën akademike duhet të lidhen ngushtësisht me realitetet vendore të zonave të caktuara, sepse vetëm në këtë mënyrë ato përkthehen në destinacione të reja turistike, të pashfrytëzuara më parë.

“Unë kam këmbëngulur vazhdimisht që destinacionet nuk duhen trajtuar vetëm historikisht apo si trashëgimi kulturore, por ato duhen lidhur ngushtë me ofertën turistike të zonës që i përket kjo trashëgimi, aq më tepër që “Via Egnatia” është një segment jashtëzakonisht i gjatë, që përfshin shumë zona të Shqipërisë, duke filluar nga Durrësi e deri në Pogradec.”

Konferenca dy ditore nuk do të zhvillohet vetëm në auditor, por pjesëmarrësit do të vizitojnë ditën e nesërme segmente të “Via Egnatia” nga Durrësi e Elbasan.

M.B.