Ditën e hënë të javës së ardhshme do të nisë pranë universitetit “Aleksandër Moisiu” vaksinimi i stafit akademik dhe administrative, si dhe studentëve.

Në një njoftim në rrjete sociale, UAMD bën të ditur se javën e ardhshme, në datat 11-16 tetor, në orën 08.00-14.30 do të zhvillohet fushata e vaksinimit.

Fushata do të organizohet në godinën nr.2 të Kampusit Universitar, në Spitallë.

Disa orë më parë, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga qyteti i Fierit, tha se duke nisur nga dita e hënë do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.

“Duke filluar nga Fieri sot, e duke mos ndalur çdo ditë, me ekipin e shëndetësisë do të jemi në krye të këtij aksioni, por në krahun tonë do të jenë të gjithë kryetarët e bashkive, me të gjithë drejtuesit e njësive administrative, me të gjithë kryepleqtë, me të gjithë strukturat e angazhuara të shërbimeve sociale në bashki, me të gjithë shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat po njësoj duhet të jenë të përfshira në këtë aksion kombëtar për vaksinimin, një aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës. Për studentët, gjithë java që vjen do të jetë një javë aksioni për vaksinimin e tyre, për vaksinimin e të rinjve”, tha Manastirliu.