Me një ceremoni zyrtare hapjeje, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit nisi vitin e ri akademik 2025–2026.

Me rreth 1900 studentë që ulen për herë të parë në auditore, 15 programe studimi me diploma të dyfishta dhe 10 studentë ndërkombëtarë që do të ndjekin studimet e larta në Durrës, UAMD vijon të mbetet një nga universitetet më të rëndësihme në shkallë vendi.

Sipas rektorit Shkëqim Fortuzi, Universiteti “Aleksandër Moisiu” mbetet i lidhur ngushtë me tregun e punës, duke e vendosur studentin në qendër të vëmendjes dhe duke synuar që formimi universitar të jetë një trampolinë reale drejt punësimit dhe zhvillimit profesional.

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe presidenti Bajram Begaj, i cili ftoi studentët t’u përkushtohen studimeve, pasi në kohët që po jetojmë dija është një armë e fortë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.

Këtë vit akademik në UAMD janë hapur për studentët 3 degë të reja “Punë Sociale”, “Teknik laboratori” dhe “International Business”.

Degët me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar janë “Informatika ekonomike” dhe “Shkenca kompjuterike”, si dhe “Infermieri e përgjithshme”.

M.B.