“Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema e gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike…” Ismail Kadare për Rilindasit
Me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Europiane dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, organizuan Konferencën Shkencore “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja shqiptare në arenën diplomatike”.
Në konferencë morën pjesë studiues nga të gjitha trevat shqipfolëse, të cilët theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme që mbart Lidhja si e para organizatë e Lëvizjes sonë Kombëtare me karakter mbarëshiptar dhe ndikimin e saj si udhë-çelëse e pavarësisë të vendit, por edhe në përiudhat e fazat e mëvonshme të zhvillimit të shtetit shqiptar.
Gjatë kumtesave doli në pah fakti që Lidhja e Prizrenit ishte e para organizatë që gërshetoi lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe me veprimtaritë e tjera politiko-kulturore.
Ishte në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrnit që çështja shqiptare hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare si një nga situatat ballkanase që kërkonte zgjidhje. Bash, si e tillë, Lidhja ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare deri në ditët tona.
Konferiencierët u ndanë me dëshirën e mirë për t’u vijuar traditën e konferencës vitin e ardhshëm në një tjetër qytet shqiptar.





