Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe Qendra G. C. Marshall – Shqipëri organizuan ditën e sotme Forumin Akademik me temë “Marrëveshja e detit me Greqinë: Historik, sfida dhe zgjidhje”.

Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo vlerësoi iniciativën e UAMD-së për të organizuar një takim të këtyre përmasave, nisur edhe nga fakti se “çështja e detit” është kthyer në çështjen e ditës para dhe pas vizitës së ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias në vendin tonë dhe rënies dakort mes palëve për t’i çuar në Gjykatën e Hagës kufijtë detarë.

“Përgëzime për organizimin e këtij forumi me të vërtetë model për nga sensibiliteti i madh që ka tematika e përzgjedhur prej jush për të diskutuar. Duhet të ndiheni krenarë që diskutoni një çështje të tillë që të paktën deri tani në Tiranë, ku unë jam pjesë e auditoreve të tjera akademike, nuk është trajtuar”,- tha Prof dr. Milo.

Ndërkohë, rektorja e UAMD-së Kseanela Sotirofski, gjatë fjalës së hapjes nënvizoi faktin se rëndësia dhe sensibiliteti që ka delimitimi i kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë fqinje në opinionin publik e shtyu stafin akademik të mbante një forum të këtyre përmasave.

“Ne si universitet menduam të organizjmë këtë forum me profesionistë të nderuar, njohës të mirë të së drejtës ndërkombëtare detare, pasi çështja e kufijve detarë është me interes të madh kombëtar”,– tha rektorja Sotirofski.

Në Forumin Akademik morën fjalën edhe Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Osman Metalla, pedagogu i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike Enver Bytyçi, koloneli Ermal Jauri, nga Qendra Marshall – Shqipëri dhe kapiteni Përparim Zaimi, ekspert i çështjeve detare.