DURRËS, 7 mars 2015 –  Aktivitetet kulturore kanë qenë gjithnjë prezente në jetën e Universitetit ”Aleksandër Moisiu” Durrës, por së fundmi ato po marrin trajtën e aktiviteteve të strukturuara dhe të mirëmenduara, falë organizimit më të ri studentor Students’ Culture Lab of Unique Bonds (Laboratori Kulturor i Lidhjeve Unike). Ky organizëm ka mjaft studentë të angazhuar në grupe të ndryshme me koordinatorë, vetë lektorët e universitetit.

Prof. Fjoralba Satka, koordinatore për Artin Pamor, në një bashkërendim të ideve me Prof. Rregjina Gokaj, zëvendësrektore pranë UAMD dhe njëherazi iniciatore e këtij Laboratori të Kulturës, sjellin një atmosferë krejt të ndryshme nga një 7 Mars tradicional, ku gjithnjë e më pak është i ndjeshëm në mjedise universitare.

Studentët e Masterit të Ciklit të Ulët, mësuesit e ardhshëm të fëmijëve tanë, kanë organizuar një ekspozitë me punimet e tyre të dorës si një përshëndetje për pedagogët e tyre dhe miqtë që studiojnë në degë të tjera.

Këto punime ishin të larmishme nga lënda dhe forma, por monotematike: Gëzuar Festën Mësues!

Në njërën nga bankinat e ekspozitës kishte edhe punime që ofroheshin për shitje me çmime simbolike që shërbenin si dhurata të rastit, si: kartolina, kutiza peshtafi, luleletre etj. Për ta zbukuruar këtë atmosferë festive dhe krejt të veçantë të këtij aktiviteti ndihmoi edhe grupi letrar i Masterit të Gjuhës Angleze dhe grupi i Radios nga ky Laborator, duke ofruar muzikë dhe poezi në sfond.

Aktiviteti ngjalli një kureshtje të natyrshme tek studentët e degëve të tjera, të cilët e ndoqën nga afër ekspozitën dhe shprehën kënaqësinë që të falin aktivitetet me punime të tilla. Disa nga studentët e Masterit të Didaktikës kërkuan të ishin pjesë e orëve kur zhvillohet lënda e Aftësimit Teknologjik gjatë së cilës ishin përgatitur këto punime.

Në bisedë me prof. Fjoralbën, ajo shprehet se ndjehet shumë e kënaqur që i ka mbështetur studentët në realizimin e kësaj ekspozite, por gjithashtu thekson faktin se gjithçka është bërë në kohë rekord që kur u ngjiz ideja e ekspozitës e deri në këtë ditë.

“Studentët kanë bërë një punë të lavdërueshme, çka na bën të ndihemi mirë, jo vetëm me kreativitetin e tyre, por edhe me përkushtimin që shfaqin ndaj profesionit të shenjtë për të cilin po arsimohen. Sigurisht që ekspozita mund të kishte punime edhe më të bukura se kaq, por si fillim, duke marrë parasysh edhe vështirësitë dhe ngarkesën e studentëve, mendoj se jemi në rrugë të mbarë drejt ekspozitave të tjera, që kjo të mos mbetet e vetmja. Dua të falenderoj edhe studentët e Masterit të Gjuhës Angleze të cilët, me kërkesën dhe orientimin e prof. Rregjinës ishin të gatshëm të ndihmonin aktivitetin me citate dedikuar misionit fisnik të mësuesit; por veçanërisht njëra nga studentet, Egla na surprizoi në një mënyrë krejt të veçantë: me vargje akrostike për emrin e secilit prej pedagogëve. Kjo ishte vërtetë një gjë shumë e bukur dhe emocionuese” – thekson Prof. Fjoralba.

/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/