Pas vitesh të tëra studimi, e premtja mbarte një emocion të veçantë për 2172 studentët e sapodiplomuar të UAMD-së. Kapelet e hedhura lart në ajër nënkuptojnë mbylljen e një cikli të veçantë të rinisë së tyre të kaluar në auditore dhe hapjen e një kapitulli të ri në jetë, atë si profesionistë të ardhshëm.

Të sapodiplomuarit në 5 fakultetet e UAMD-së i kanë synimet e qarta për periudhën në vijim. Disa e shohin veten të realizuar jashtë vendit, të tjerë të ardhmen e tyre e planifikojnë ta ndërtojnë këtu.

Në këtë vit të veçantë për historikun e UAMD-së, kur mbushi 2 dekada jetë akademike, universiteti i Durrësit mbyll një vit të suksesshëm për të rinisur një tjetër me më shumë risi, siç njofton rektori Shkëlqim Fortuzi.

Mes ngjitjes në skenë për të marrë diplomën, takimit me lektorët që u dhanë dijet gjatë viteve të shkollimit si dhe emocioneve të prindërve e të afërmve për arritjet e tyre, studentët e sapodiplomuar të UAMD-së përjetuan një nga netët më të rëndësishme të rinisë së tyre dhe formimit profesional.

M.B.