Presidenti i zgjedhur Donald Trump hodhi poshtë papritur një plan dypartiak të mërkurën për të parandaluar mbylljen e qeverisë gjatë Krishtlindjeve, dhe i tha Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe republikanëve, që në thelb ta rinegociojnë atë – disa ditë përpara një afati kur skadon financimi për buxhetin e qeverisë federale.

Përfshirja e papritur e Presidentit të zgjedhur Trump në këtë debat dhe kërkesat e reja, e vendosën Kongresin sërish në lëvizje, ndërsa ligjvënësit po përpiqen ta përmbyllin punën dhe të shkojnë në shtëpi për pushimet e festave. Kjo e detyron tashmë Kryetarin Johnson të përpiqet të hartojë një plan të ri për ta mbajtur qeverinë të hapur, përpara afatit të së premtes.

“Republikanët duhet të BËHEN TË ZGJUAR dhe TË ASHPËR”, thanë Presidenti i zgjedhur Trump dhe Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance në një deklaratë.

Presidenti i zgjedhur bëri një propozim që kombinonte disa vazhdimësi të fondeve qeveritare së bashku me një dispozitë shumë më të diskutueshme për të rritur kufirin e borxhit të vendit – diçka që partia e tij e refuzon rregullisht. “Çdo gjë tjetër është një tradhti ndaj vendit tonë”, shkruan ata.

Demokratët kritikuan rebelimin e republikanëve për projekt-ligjin për financimin e qeverisë, që do të kishte ofruar gjithashtu rreth 100 miliardë dollarë ndihma për shtetet e goditur nga uraganët Helene dhe Milton dhe katastrofa të tjera natyrore./ VOA