Sekretari Mike Pompeo priti mbrëmë në Departamentin e Shtetit, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Nikola Dimitrov. Tema kryesore e diskutimit ishte referendumi për çështjen e emrit, që është në plan të mbahet në fund të shtatorit. Një “PO” për çështjen e emrit i hap rrugën Meqedonisë në integrimet euroatlantike:

Pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Pompeo, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikola Dimitrov dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku theksuan mbështetjen që dha zoti Pompeo për Referendumin për çështjen e emrit, që pritet të mbahet më 30 shtator.

Zoti Dimitrov tha se kishte patur një takim shumë inkurajues me Sekretarin amerikan të Shtetit, duke e quajtur “një ditë të madhe për diplomacinë e Maqedonisë”.

Ai tha se në vendin e tij po bëhen përpjekje për të siguruar sukses në referendum, ku do të votohet për marrëveshjen e arritur me Greqinë në muajin qershor.

Zoti Dimitrov tha se në takimin me Sekretarin Pompeo, mori mbështetjen tepër të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara për integrimet euroatlantike të Maqedonisë.

“Çështja e emrit i hap Maqedonisë rrugën për të ardhmen. Ne duam të bëhemi anëtarë të NATO-s. Për këtë çështje mbështetja dhe miqësia e partnerëve tanë amerikanë është jashtëzakonisht e rëndësishme, kështuqë unë kthehem në Shkup tepër i inkurajuar dhe do ta ndaj mesazhin e sotëm me popullin e Maqedonisë,”- tha zoti Dimitrov.

Një “PO” në referendum do t’i hapte Maqedonisë rrugën drejt integrimeve euroatlantike, fillimisht anëtarësimin në NATO dhe më pas, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në komentet që bëri për shërbimin maqedon të Zërit të Amerikës, Ministri i Jashtëm Dimitrov tha se pjesëmarrja në referndum ka një rëndësi në veçantë për të ardhmen e vendit.

“Është një përgjegjësi e madhe për popullin e Maqedonisë të dalë në votime. Detyra jon është të dalim nëprë rrugë për t’i shpjeguar popullit rëndësinë që të dalë në votime.”

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell, i cili ishte i pranishëm në takim, e përgëzoi ministrin maqedonas për rolin kyç që ka patur në marrëveshjen me Minisitrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, në praninë e kryeministrave të të dy vendeve fqinje dhe të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së. Ai theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Marrëveshjen e Prespës:

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm Marrëveshjen e Prespës dhe ne e vlerësojmë rolin që ka luajtur Ministri Dimitrov. Presim që referendumi i shtatorit të jetë i suksesshëm; sekretari Pompeo sot shprehu mbështetjen e tij për marrëveshjen dhe ia bëri të qartë ministrit Dimitrov se SHBA presin me kënaqësi anëtarësimin e Maqedonisë si vendi i 30-të i NATO-s”.

Referendumi i 30 shtatorit, shihet si një moment historik për Maqedoninë. Ai pritet t’ia ndryshojë emrin vendit në “Maqedonia e Veriut”, bazuar tek marrëveshja e arritur me Greqinë. Mosmarrëveshja shumëvjeçare mes të dy vendeve pati krijuar një bllokim të integrimeve euroatlantike të Maqedonisë.

Kryeministri Zoran Zaev ka lënë të kuptohet se pyetja që do të shtrohet në referendum do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO dhe për marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Nëse referendumi vendos për ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, atëherë vendi pritet të bëhet anëtari i tridhjetë i NATO-s dhe do të nisë bisedimet në qershorin e 2019-ës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /VOA