• Shtëpia e Bardhë mbështet Ramën dhe Metën duke bërë të pavlefshme thirrjet e ish-Kryeministrit për destabilizimin e vendit që është në favor të Rusisë
• Nuk përjashtohet që amerikanët të dërgojnë në Durrës ndonjë aeroplanmbajtëse në prag të zgjedhjeve
TIRANË, 2 mars 2015 – Në mënyrë tejet të pazakontë në praktikën e saj, përfaqësia e Uashingtonit në Shqipëri hoqi “dorezat” diplomatike, duke deklaruar se mirëpret “vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për përjashtimin e zotit Tom Doshi, për të cilin ka pohime se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e marrin seriozisht kërcënimin që krimi dhe korrupsioni u bëjnë shoqërive të lira dhe demokratike. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kërcënimin që krimi dhe korrupsioni u bëjnë shoqërive të lira dhe demokratike”. Në këtë rast Shtëpia e Bardhë ka mbështetur hapur Kryeministrin Edi Rama, por nuk ka harruar të nxjerrë në pah edhe mbështetjen për spikerin Ilir Meta: “Mbështesim fuqimisht punën e Kuvendit”.
STABILITETI
Ambasada amerikane nuk është mjaftuar thjesht me shpullën ndaj Doshit, por, në këtë situatë delikate, pak para mbledhjes së grupit parlamentar, ish-kryeministri Sali Berisha, lider de facto i opozitës, u ka bërë “thirrje qytetarëve të vendit të ngrihemi fuqishëm për të shpëtuar vendin nga klika e vrasësve në krye të pushtetit”. Në tekstin e SB-së, duke mbështetur akuzat e Doshit ndaj dyshes Rama-Meta paralajmërohet për “një ogur i zi për stabilitetin e vendit”.
Sekretari i departamentit të Shtetit z. Xhon Kerri (John Kerry) ka paralajmëruar mbi përpjekje e Putinit për destabilizimin e Ballkanit e sidomos së Kosovës, që pasonte prognozën e zymtë të së famshmes britanike “Fajnenshëll Tajms” (Financial Times) se Moska, nëpërmjet sipërmarrësve po punon për destabilizimin e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
PD DHE PARTIA E PUTINIT
Ambasada amerikane ka ndjekur me shqetësim në vitin forcimin e marrëdhënieve ruse-shqiptare, shkëmbimin e informacioneve sekrete të një vendi anëtar të NATO-s me shërbimet sekrete ruse, nënshkrimin e marrëveshjes, nga ish-ministri i Brendshëm, aktualisht President i Republikës Bujar Nishani, me Rusinë. Berisha-Nishani ranë dakord gjithashtu për krijimin e një kordoni sanitar, në emër të luftës kundër drogës, ndaj Kosovës me pjesëmarrjen e Rusisë, Serbisë e Shqipërisë.
“Dajë Samit” nuk i ka shpëtuar as deklarata e zotit Vladislav Kurbackij, ish-sekretar i tretë i ambasadës ruse në Tiranë, në vitin 2012, se Shqipëria “po përjeton trysni gjithmonë e më të madh nga ana e aleatëve të saj të tanishëm – SHBA dhe Bashkimi Evropian, si dhe po vret mendjen seriozisht për kthim te “miqtë e vjetër” e saj”.
Ish-kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht ish-nënkryetare e PDSH-së ka shkuar në nëntor 2010 në Federatën Ruse, në një vizitë zyrtare dyditore. Ajo që bie në sy, vizitën e ish[nënkryetares së PDSH-së në "Romën e Tretë" pushtetarët e Kremlinit e paraqitën si veprimtari partiake në organin zyrtar "Rusia e Bashkuar".
Është mbajtur shënim në Uashington deklarata e Topallit në Rusi: “Është momenti të ridimensionojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin”.
“Dyrrah”-u ka mësuar se, për t’i paraprirë ndonjë skenari të opozitës në periudhën parazgjedhore, nuk përjashtohet që amerikanët të dërgojnë në Durrës ndonjë aeroplanmbajtëse.
Për të bërë më të qartë kontekstin, “Dyrrah”-u ka përkthyer dhe boton deklaratën e 2 marsit 2015 të Ambasadës së SHBA dhe statusin në FB të z. SaliBerisha.
Dokumenti 1 / Deklaratë e ambasadës amerikane në Tiranë, më 2 mars 2015
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për përjashtimin e zotit Tom Doshi, për të cilin ka pohime se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kërcënimin që krimi dhe korrupsioni u bëjnë shoqërive të lira dhe demokratike. Inkurajojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë ata individë që janë implikuar në veprimtari kriminale apo korruptuese. Mbështesim fuqimisht punën e Kuvendit në hartimin e një legjislacioni në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Përveç kësaj, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.
Dokumenti 2 / Stratusi në FB i z. Sali Berisha, më 2 mars 2014
Akuza e Tom Doshit se Meta-Rama planifikuan vrasjen e dy deputetëve, është më e rënda në 25 vitet e fundit!!
Akuzat se Ilir Meta dhe Edi Rama planifikuan vrasjen e dy deputetëve të parlamentit shqiptar, janë akuzat më të rënda publike në tërë historinë e pluralizmit shqiptar. Deputeti Doshi pohon se kryetari i Parlamentit të vendit, Ilir Meta, në marrëveshje me Edi Ramën, ka paguar për vrasjen pra eliminimin fizik të tij dhe deputetit të PD Mhill Fufi. Doshi njoftoi para mediave se për akuzën e tij, më e rënda 25 vitet e fundit, disponon fakte, të cilat ai i ka paraqitur brenda dhe jashtë vendit.
Personalisht kam dëgjuar dhe denoncuar në Parlament për përpjekje të drejtuesve të mazhorancës për eliminim të eksponentëve të saj. Por akuzat tronditëse të deputetit Tom Doshi, i njohur për miqësinë e ngushte me Ramën por edhe Metën, se kryetari aktual i Parlamentit me porosi apo pëlqim të Ramës ka paguar para për vrasjen e tij dhe të deputetit te PD, Mëhill Fufi, janë një ogur i zi për stabilitetin e vendit.Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe çdo përpjekje për të eliminuar fizikisht deputetët e Parlamentit pavarësisht nga spektri i tyre politik, theksoj me këtë rast se sipas këtyre akuzave klika në pushtet projekton destabilizimin e Shqipërisë! I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi, guxim dhe përgjegjësi të lartë akuzat e rënda për vrasje politike me pagesë nga kreu i parlamentit, me porosi ose miratim të kreut të qeverisë dhe të vendosë para ligjit çdo person rë implikuar në skenarë kriminalë. U bëj thirrje qytetarëve të vendit të ngrihemi fuqishëm për të shpëtuar vendin nga klika e vrasësve në krye të pushtetit!!
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





