Nga Thanas Mustaqi
Një “zbritje” e tre boshteve me rrota të lokomotivës mbi traversa është dhënë në media të ndryshme si “dalje treni nga shinat”. Ngjarja ka ndodhur në orën tre e njëzet minuta të së dielës më 7 dhjetor 2014.
Në të vërtet, lokomotiva nr. 1046, në krye të një treni me 1 00 tonë hekurishte importi nga terminali lindor i portit në drejtim të Elbasanit, si rezultat i hapjes së vijës hekurudhore te mbikalimi i Urës së Dajlanit, ka “rënë” me tre boshte / akse mbi traversat brenda linjës (shih foton).
Gjendja e rënduar e vijave hekurudhore vjen nga mungesa e investimeve në infrastrukturë. Kjo ka bërë që hapja e linjës, si brenda stacioneve, ashtu dhe në “perigon” (vija jashtë stacioneve që i lidh dy prej tyre) të jetë një gjë e rëndomtë. Për pasojë, janë të rëndomta dhe të ashtuquajturat nga media “dalje treni nga shinat”. Unë i mirëkuptoj kolegët, si për mungesën e njohurive teknike ashtu dhe për dëshirën e një skupi dhe “shitjen” e lajmit tek eprorët.
Gjithsesi, të më lejojnë t’u bëj një vërejtje: nëse shkon në vendngjarje, pyet për llojin e avarisë, kohën e ndodhjes së saj, numrin e lokomotivës, vagonëve, peshën etj. Janë thjesht gjërat më elementare që u mësohen gazetarëve në shkollë apo në praktikën e përditshme. Një hetim i mëtejshëm mund të zbulojë problemin real që ka transporti me shina sikurse janë investimet e munguara, strategjitë për nxjerrjen e hekurudhave nga kolapsi, vetëmburrjen dhe “fryrjen” e zyrtarëve etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





