Jahmir Hyka nuk ka arritur t’i bashkohej mbrëmë Kombëtares shqiptare të futbollit, sipas planit të udhëtimit që kishte nga SHBA. Futbollisti i përfaqësueses kuqezi ka udhëtuar nga Kalifornia e largët deri në Romë, por aty ka mbetur i bllokuar në aeroport duke kaluar natën në kryeqytetin italian. Shkak është bërë një grevë e përgjithshme e punonjësve të kompanisë “Alitalia”, me të cilën futbollisti i përfaqësueses kishte planifikuar të udhëtonte drejt vendit tonë.
Ai ka qëndruar për disa orë në aeroport, para se t’i saktësohej nga FSHF se udhëtimi i ri i tij drejt Shqipërisë do të bëhej vetëm sot paradite, ndërsa është sistemuar në hotel për të kaluar natën.Ky është një shqetësim më shumë për trajnerin De Biazi, duke llogaritur këtu edhe kohën e pakët që ka në dispozicion për stërvitjet me kuqezinjtë para sfidës delikate ndaj Italisë.