Nga Orest Çipa
25gusht 2015 – Historia e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, e cila është kthyer në objekt debatesh për opinionin publik shqipëtar është kishë e karakterit Unit e ndërtuar në vitin 1639 nga Murgjit Bazilian.
Misionarët e Vatikanit apo të sipërmendurit Murgjit Bazilian njihen nga historia për hapjen e parë të shkollës shqipe në Dhërmi. Pra, kjo është pjesa e erët dhe e padëshirueshme nga Kisha Autoqefale Shqiptare dhe konkretisht e Peshkopit filogrek.
Kjo kishe, më vitin 1967 u prish nga sistemi komunist si pjesë e të ashtëquajturit “revolucioni kulturor”. Pas rënies së komunizmit, në vitin 1991 misionarët ortodoks (grek) ndërtuan pa leje mbi gërmadhat e kishës së dikurshme kishën e sotme me pretekstin që aty të ishte një kishë e karakterit ortodoks.
Fillimi i strumbullarit grek
Ministria e Kulturës së bashku me Bashkinë e Himarës kanë njoftuar priftin e Dhërmiut për prishjen e kishës dhe për rindërtimin e kishës siç kish qënë në zanafillën e saj pasi klasifikohet monument kulture.
Pas 15 ditësh policia bashkiake dhe INUV kanë nisur heqjen e ikonave dhe fillimin e prishjes së këtij objekti fetar, çka është penguar me forcë nga banoret vendas.
Ky veprim ka shkaktuar reagimin e ashpër të Kishës Ortodokse dhe OMONIA –s. Disa banorë të mbështetur nga kjo organizatë e cila ka bërë të mundur me tendencë manipulimin e opinionit publik ( besimtarët ortodoks dhe grekofilëve) kanë tentuar ta pengojnë me forcë ndërhyrjen. Gjithashtu, kisha Ortodokse akuzoi bashkinë e Himarës se do të prishë një objekt kulti që është në pronësi të saj.
Gjithashtu e akuzon atë se po kryen një akt të paligjshëm dhe po vepron me tinëzari. Bashkia ka sqaruar se godina për të cilën ka ndërhyrë INUV është një objekt pa leje i ndërtuar mbi një kishë të vjetër, e cila do të rikonstruktohet me qëllim që të kthehet siç ka qenë më parë.
Por sipas burimeve historike bëhet me dije se Kisha ka qenë varri i Nila Catalanos, një dijetari italian që ka shërbyer si kryepeshkop katolik në Durrës dhe Himarë, ku ka shërbyer në vitet 1677 – 1693.
Ai ka qenë një njohës i gjuhës shqipe, autor i një fjalori shqip-italisht dhe i një përmbledhje të këngëve arbëreshe.
/Gazeta Tema/





