Kishte me vete në makinën me të cilën po udhëtonte një sasi të konsiderueshme droge, dhe pasi policia i bën shenjë që të ndalojë, ai largohet me shpejtësi, braktis mjetin dhe arratiset.
Ngjarja është shënuar orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në Memaliaj, ku policia ka sekuestruar 10.3 kg kanabis sativa dhe ka shpallur në kërkim poseduesin e saj, një 32-vjeçar nga Tirana, shtetasin me iniciale A.T.
“Në datë 10.09.2016, rreth orës 23:30 ,në vendin e quajtur “Kthesa e Luftinjës”, punonjësit e policisë i kanë bërë shenjë të ndalonte, por shtetasi A.T. është larguar me mjetin tip “Mazda”, me targa AA 002 LJ, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë.
Menjëherë Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit por ky shtetas ka braktisur automjetin në lagjen nr. 4 të qytetit Memaliaj”, bën me dije policia e Gjirokastrës.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se më pas, në bagazhin e këtij automjeti u gjetën dhe u sekuestruan 10.3 kg kanabis.





