Udhëzimi i parë i prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela është nxjerrë në funksion të krijimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Udhëzimi i cili mban datën 10 dhjetor 2019, detyron prokurorët e Krimeve të Rënda si dhe të prokurorëve të juridiksionit të përgjithshëm për të identifikuar, inventarizuar dhe transferuar dosjet, sipas kompetencës, në Prokurorinë e Posaçme.

Bëhet fjalë për të gjitha dosjet e parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, të cilat kalojnë në duart e SPAK-ut. Edhe prokurorët me juridiksion të përgjithshëm për aktet, procedimin apo çështjet penale, të regjistruara për veprat penale që janë kompetence e SPAK-ut të cilët janë në fazën e hetimeve paraprake, vendos moskompetencën dhe transferimin e akteve, procedimit/çështjes penale për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme”.

Përmes udhëzimit, Çela u kërkon prokurorëve të Krimeve të Rënda si dhe prokurorëve me juridiksion të përgjithshëm që të ruajnë sekretin hetimor gjatë inventarizimit dhe transferimit të dosjeve, ruajtjen e të dhënave hetimore dhe ndalimin e publikimit të akteve, procedimeve apo çështjeve objekt kalimi për kompetencë prokurorive përkatëse, para, gjatë dhe pas dorëzimit në prokuroritë kompetente”.