Tiranë, 21 nëntor 2013 -Ushtrimi i dhunës ndaj nxënësve, ngacmimi seksual, por edhe zhvillimi i kurseve me pagesë janë arsye të forta që një arsimtar të humbasë vendin e punës, qoftë drejtor, nëndrejtor apo mësues. Të gjitha arsyet se kur një arsimtar rrezikon vendin e punës janë të përcaktuara në tri udhëzime të posaçme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të cilat mbajnë datën 12.11.2013, ku përcaktohen qartazi procedurat e emërimit dhe të largimit nga puna të mësuesve, të nëndrejtorëve, por edhe të drejtorëve të institucioneve publike të arsimit.
DREJTORËT dhe SHKARKIMI
Një maturë e "dobët" do t'i kushtojë vendin e punës drejtorëve në shkolla. Në udhëzimin nr. 57 të Ministrisë së Arsimit, ndër të tjera sqaron se notat e dobëta të nxënësve gjatë provimeve të maturës janë një ndër shkaqet që mund t'u kushtojë vendin e punës drejtuesve të shkollave në arsimin parauniversitar. Më tej në udhëzim detajohen kritere më të rrepta për emërimet e reja në radhët e drejtuesve, kritere të cilat prekin si titujt e formimit, ashtu dhe eksperiencën profesionale. Po ashtu udhëzimi parashikon edhe raste të tjera shkarkimi, që kanë të bëjnë me rastet e shkeljeve flagrante, ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për ngjarjet në vijim: "Ka falsifikuar dokumente zyrtare, ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare, ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit, ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit, ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit, ka marrë ryshfet, ka dhënë kopje ose ka organizuar kopje në provimet kombëtare (provimet e lirimit ose të maturës), ka ndërhyrë në përzgjedhjen e teksteve nga mësuesit e institucionit që drejton, si dhe ka organizuar ose lejuar pjesëmarrjen e mësuesve ose nxënësve gjatë procesit mësimor, në veprimtari partiake. Situatë kjo që në vitet e shkuara ka ndodhur rëndom, por në asnjë rast nuk është dhënë asnjë lloj ndëshkimi, teksa kemi parë nxënësit e shkollave të mbushin sheshet gjatë mitingjeve të ndryshme partiake. Me hyrjen në fuqi të ligjit të arsimit parauniversitar, sikundër është vendosur për emërimet e reja të mësuesve, edhe drejtuesit e shkollave duhet të konkurrojnë me anë të dosjes për të fituar postin e punës.
ARSIMIMI QË KËRKOHET
Kandidati për drejtor si dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, të ketë të paktën kategorinë "mësues i kualifikuar", të mos ketë masa disiplinore në fuqi, si dhe të ketë punuar si mësues në arsimin parauniversitar të paktën 5 vjet pa ndërprerje deri në datën e aplikimit. Emërimet e reja në radhët e drejtuesve të shkollave do bëhen përmes konkurrimit të hapur, kjo gjë është deklaruar edhe publikisht nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila pas garës së drejtorëve të drejtorive arsimore, e cila është drejt fazës së fundit, ka thënë se: – "Gara transparente dhe e bazuar në meritë do të vijojë për pozicione të tjera drejtuese të niveleve të arsimit në çdo qark e çdo shkollë". Por kjo gjë sqarohet edhe në udhëzim, ku krahas vlerësimit të dosjes, drejtuesit që konkurrojnë do t'i nënshtrohen intervistës dhe provës se si e kryejnë punën e tyre. Vetëm pasi të jenë vlerësuar të gjithë këta komponentë, do të merret vendimi se cili nga kandidatët do të drejtojë shkollën.
MËSUESIT
Në udhëzimin nr.56 përcaktohen rastet e shkeljeve që sjellin largimin e mësuesve nga puna. Drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për rastet e mëposhtme: falsifikim i dokumenteve zyrtare, ushtrim i dhunës fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit arsimor, ngacmim seksual nxënësve ose punonjës të institucionit, kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose me nxënësit e shkollës së tij, marrje ryshfeti, dhënie kopje ose lejim i të kopjuarit në provimet kombëtare. Po ashtu në këtë udhëzim përcaktohet se drejtori e largon mësuesin nga institucioni arsimor publik për mosarritje të nxënësve të tij. Ku parashikohet, mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive, si testimet e drejtorisë së institucionit ose të njësisë arsimore vendore, rezultatet në provimet kombëtare dhe vlerësimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.
/ Gazeta Shqiptare /






