Planifikoni një udhëtim në Gjermani dhe pyesni veten se çfarë duhet të dini? Ne kemi menduar për ju! Ky udhëzues i shkurtër u përgjigjet disa prej pyetjeve kryesore që turistët bëjnë, përpara se të vizitojnë Gjermaninë.

Gjermania është e ndarë në 16 lande federale, në të cilat përfshihen edhe qytetet-shtet Berlini, Hamburgu dhe Bremeni. Landet më të mëdha janë Bavaria, Saksonia e Poshtme, Renania Veriore-Vestfalia dhe Baden-Vyrtemberg.

Sa e madhe është Gjermania?

Ajo është afërsisht 360.000 kilometra katrorë në madhësi. Popullsia është rreth 84 milionë.

Cilët janë qytetet më të mëdha?

Berlini është kryeqyteti i Gjermanisë dhe qyteti më i madh i saj, me gati 4 milionë banorë. Vendi i dytë për nga madhësia është Hamburgu në veri të Gjermanisë, i ndjekur nga Mynihu në jug dhe Këlni në perëndim.

Dialektet dhe gjuhët e minoriteteve?

Gjermanishtja është gjuha kombëtare. Në varësi të rajonit, ka dialekte të ndryshme, disa prej të cilave janë të vështira për t’u kuptuar.

Gjuha daneze dhe friziane fliten gjithashtu në veri, ndërsa sorbishtja flitet në disa pjesë të Brandenburgut dhe Saksonisë. Shumë gjermanë gjithashtu flasin mirë anglisht.

Si është moti?

Në përgjithësi Gjermania ka një klimë të moderuar. Në verë mund të ecni me pantallona të shkurtra dhe bluza, edhe pse disa ditë mund të jenë shumë të nxehta. Në pranverë dhe vjeshtë, përgatituni për pantallona, pulovra dhe xhaketa të lehta. Në dimër, temperaturat mund të ulen nën zero dhe mund të bjerë borë.

Peizazhi i Gjermanisë është shumë i larmishëm. Nëse shkoni në veri, mund të pushoni në plazhet e Detit Baltik ose në Detin e Veriut. Në qendër të vendit do të gjeni shumë pyje, liqene, lumenj dhe rezervate natyrore. Alpet gjermane ndodhen në jug dhe janë perfekte për ecje dhe ski në dimër.

Çfarë duhet të shihni në Gjermani?

Gjermania ka shumë kështjella, rrënoja dhe shtëpi unike të ndërtuara gjysëm me dru. Ndërtesat me tulla karakterizojnë qytetet-port të veriut.

Këtu është një listë e shkurtër:

Berlin: Porta e Brandenburgut, ndërtesa e Reichstag, kulla televizive, Ishulli i Muzeut, Katedralja e Berlinit.

Hamburg: Elbphilharmonie, distrikti Speicherstadt, Bashkia, Porti

Mynih: Sheshi Marienplatz, Munich Residenz, Pallati Nymphenburg, Kopshti Anglez

Këln: Katedralja e Këlnit

Kalatë: Kalaja Neuschwanstein në Füssen, Pallati Sanssouci në Potsdam, Kalaja e Heidelberg, Kalaja Hohenzollern në Alb Swabian

Cilat evente dhe festivale nuk duhen humbur?

Festivali më i madh folklorik në botë zhvillohet në Mynih çdo vjeshtë: Oktoberfest, festa tradicionale e birrës, këtu mund të kuptoni më thellë traditën bavareze.

Periudha e Krishtlindjeve është një kohë e shkëlqyer për të vizituar Gjermaninë. Ju mund të shihni tregjet magjepsëse të Krishtlindjeve.

Dhe në shkurt, shumë qytete festojnë karnavalet, të njohura gjithashtu në rajon si Fasching ose Fastnacht. Mijëra njerëz veshin kostume dhe festojnë në rrugë ose në klube dhe bare.

Festivali më i madh publik në veri është Java e Kielit, e cila zhvillohet në verë. Është një nga ngjarjet më të mëdha të lundrimit në botë dhe daton në fund të shekullit të 19-të.

Festivale të tjera të njohura përfshijnë Hamburger Dom (pranverë, verë dhe dimër), Hafengeburtstag në Hamburg (maj), Schützenfest në Hanover (qershor/korrik), Rheinkirmes në Düsseldorf (korrik), Maschseefest në Hanover (korrik/gusht), Cranger Kirmes në Herne (gusht), Cannstatter Volksfest (Wasen) në Shtutgart (shtator/tetor) dhe Bremer Freimarkt (tetor)

Cila është mënyra më e mirë për të lëvizur në Gjermani?

Gjermania është aq e madhe sa mund të marrë pjesën më të mirë të ditës suaj për ta eksploruar nga veriu në jug, kështu që mund të merrni edhe një fluturim nëse nuk keni kohë. Për distanca më të shkurtra mund të përdorni trenin, autobusët ose të merrni makinë me qira.

Në merrni makinë me qira mbani parasysh se në Gjermani, siç mund ta keni dëgjuar shpesh, teorikisht nuk ka kufizim të shpejtësisë në autostradë. Por në zonat urbane, kufijtë e shpejtësisë janë 50 ose 30 kilometra në orë. Në rrugët e nacionale, kufiri i shpejtësisë është 100 km/h, dhe në autostrada, shpesh është 120 km/h.

Si funksionon sistemi hekurudhor në Gjermani?

Ka lloje të ndryshme trenash. Trenat me shpejtësi të lartë ICE dhe IC lidhin qytetet kryesore dhe udhëtojnë me shpejtësi deri në 300 dhe 200 km/h. Ka edhe trena lokalë si Regional-Express, Interregio-Express, Regionalbahn dhe S-Bahn, të cilët gjithashtu ju çojnë në destinacionin tuaj, megjithëse me shpejtësi më të ulët.

Sistemi gjerman i biletave bazohet tek besueshmëria. Por shpesh në trena dhe mjetet e tjera të transportit publik ka kontrolle dhe kushdo që kapet pa biletë gjobitet.

Cila biletë është e duhura për mua dhe si të rezervoj?

Ju mund t’i blini biletat në internet, nëpërmjet aplikacionit Deutsche Bahn, në makinat/Fahrkartenautomat e biletave ose sportelet e biletave. Nëse rezervoni herët, mund të merrni bileta më të lira, por biletat nuk mund të ndryshohen. Nëse, megjithatë, nuk mund ta kapni trenin që keni rezervuar për shkak të vonesave të mëparshme të trenit ose nisja e trenit është anuluar, atëherë mund ta përdorni biletën në një tren tjetër. Megjithatë, nëse është faji juaj që keni humbur trenin, bileta nuk ka më vlerë. Biletat Flex, të cilat janë mjaft të shtrenjta, ju lejojnë të zgjidhni çdo lidhje treni në një ditë të caktuar.

Mund të përfitoni zbritje nga abonetë/kartat e ndryshme të hekurudhave por këto nuk janë të dobishme për vizita të shkurtra pasi duhet të regjistroheni për një abonim vjetor. Megjithatë, nëse jeni në vend për më shumë se disa ditë, mund të blini Deutschlandticket. Ky është gjithashtu një abonim, por mund të anulohet çdo muaj dhe kushton vetëm 49 € në muaj. Kjo biletë ju lejon të përdorni të gjithë transportin publik lokal në të gjithë Gjermaninë.

Qytetet më të mëdha shpesh ndahen në zona si A, B dhe C. Kur blini një biletë, kontrolloni paraprakisht se në cilën zonë është destinacioni juaj pasi çmimet e biletave ndryshojnë në përputhje me rrethanat. Shumica e stacioneve kanë harta që tregojnë zona të ndryshme në lidhje me ndalesat, në mënyrë që të gjeni lehtësisht atë që ju nevojitet.

Çfarë alternativash ka për makinën, trenin dhe aeroplanin?

Plot! Është relativisht e lirë të udhëtosh me autobusë në distanca të gjata. Në qytete, ju mund të zgjidhni nga autobusët e qytetit, trenat e metrosë ose tramvajet. Shumë vende ofrojnë gjithashtu biçikleta me qira ose e-skuterë që mund t’i rezervoni nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme.

Ju gjithashtu mund të zgjidhni të rezervoni taksi në qytetet e mëdha me anë të aplikacioneve. Kjo mund t’ju ndihmojë të dini çmimin paraprakisht dhe të mos mbingarkoheni, pasi çmimi është i paravendosur në aplikacion. Mbani në mend se marrja e një taksie në Gjermani mund të jetë e shtrenjtë.

Çfarë opsionesh akomodimi ka?

Linja e njohur ndërkombëtare e hoteleve si Hilton, Holiday Inn ose Maritim mund të gjenden në Gjermani, veçanërisht në qytetet më të mëdha. Ka gjithashtu shumë hotele dhe bujtina më të vogla të sektorit privat. Ofrohen edhe bujtina dhe apartamente për pushime, si dhe akomodime të lira me vendasit nëpërmjet platformave si Airbnb.

Gjermanët e duan kampingun! Ka shumë kampingje në Gjermani ku mund të kaloni pushimet pranë natyrës me një çmim të arsyeshëm.

Është e rëndësishme të dini se hotelet më të vogla mund të mos kenë dikë që punon në recepsion 24/7. Nëse mbërrini vonë natën, kontrolloni paraprakisht faqen e internetit ose telefononi për t’i njoftuar se kur do të mbërrini në mënyrë që të mos mbeteni në këmbë para një dere të mbyllur.

Sa e sigurt është Gjermania?

Gjermania është përgjithësisht e sigurt. Megjithatë, stuhitë, përmbytjet apo edhe trazirat mund të ndodhin herë pas here, si për shembull në 1 maj, Ditën e Punëtorëve.

Është gjithmonë një ide e mirë të tregosh kujdes për sendet personale për të evituar vjedhjet.

Pagesa dhe bakshishet dhe si paguajnë njerëzit në Gjermani?

Gjermanët preferojnë të paguajnë me para në dorë! Prandaj është e këshillueshme të mbani gjithmonë euro me vete. Shumë restorante dhe bare nuk pranojnë karta krediti.

Sa dhe kur jepni bakshish?

Pavarësisht nëse paguani me kartë ose me para në dorë, mundohuni të jepni rreth 10% bakshish në restorantet e Gjermanisë. Kamarierët do t’ju tregojnë shumën dhe ju do t’u jepni atyre çmimin total, duke përfshirë bakshishin që dëshironi të paguani. Për shembull, nëse keni një faturë prej 46 €, mund ta rrumbullakosni duke i thënë kamerieres/kamerierit të mbajë 50 €.

Cila është kuzhina tipike gjermane?

Ushqimi gjerman ndryshon në varësi të vendit ku jeni. Në veri, pranë detit, do të gjeni shumë gatime me fruta deti, ndërsa në jug ka shumë pjata të shijshme nga Bavaria ose Baden-Vyrtembergu, si mish derri i pjekur, grusht derri, dumplings ose spaetzle (makarona që janë të ngjashme me petë).

Furra buke në Gjermani kanë një përzgjedhje të madhe për të zgjedhur, Ju mund të përzgjidhni në shumëllojshmërinë e produkteve të furrave Gjermane duke përfshirë shumë lloje të ndryshme buke, role dhe sanduiçe të vegjël.

Çfarë u pëlqen të pinë njerëzve në Gjermani?

Gjermanët janë të dhënë pas birrës dhe verës. Në Gjermani ndodhen 13 rajone të prodhimit të verës. Këto zona janë destinacione të shkëlqyera për udhëtime ditore.

Sa i përket pijeve joalkoolike, kafeja dhe çaji janë të njohura, si dhe i famshmi Apfelschorle, lëngu i mollës i përzier me ujë të gazuar. Gjermanët në përgjithësi i pëlqejnë pijet e përziera, birra ndonjëherë pihet me pije joalkoolike (Radler) dhe vera përzihet gjithashtu me ujë të gazuar (Weinschorle).

Kultura

Kur zbuloni një vend të ri, është një avantazh nëse njihni dhe kuptoni karakteristikat e njerëzve vendas për të shmangur keqkuptimet.

Çfarë është e rëndësishme për gjermanët?

Nuk është thjesht një stereotip, gjermanëve në përgjithësi u pëlqen përpikmëria. Zakonisht ia bëjnë të ditur njeri-tjetrin nëse do të vonohen për pesë minuta.

Gjermanët nuk janë vërtet adhurues të bisedave sociale dhe priren të qëndrojnë të qetë në transportin publik. Mos u ndjeni të ofenduar nga kjo.

Gjermanët nuk kanë probleme me nudizmin. Ka plazhe nudiste buzë detit ose liqeneve ose sauna.

Tani pas këtij udhëzuesi jeni njohur shkurt e saktë me shumë specifika për Gjermaninë, ju mbetet vetëm të thelloni njohuritë në praktikë duke nisur udhëtimin dhe duke u njohur më mirë me vendin!