12 mars 2015 – Udineze “zbarkon” në Shqipëri. Tashmë është firmosur edhe kontrata e binjakëzimit mes akademisë së klubit italian me akademinë e FC Internacional-it, e cila ndodhet në Pezë-Helmës. Lajmi është bërë i ditur nga administratori dhe aksionari i vetëm i FC Internacional, Ervin Canollari. Mësohet se akademia e Udinezes do të sjellë në Shqipëri vëzhguesit e saj më të mirë si dhe trajnerë, të cilët do të ndihmojnë homologët shqiptarë të akademisë së FC Internacional-it në rritjen cilësore. Sakaq, italianët do të jetë të gatshëm të ndihmojnë edhe materialisht, por edhe që lojtarët më të mirë që do dalin nga kjo akademi të kenë një dritare më shumë drejt futbollit që vlen.

“Është një lajm sensacional, i shumëpritur. Një mundësi e artë për shumë të rinj që duan të kenë shansin e tyre jo vetëm që të stërviten në një nga akademitë më të mira në vend, dhe këtë nuk e them se jam pronar i akademisë, por se realisht është kështu, por edhe të mund të luajnë një ditë në një klub si Udineze. Kontrata që kemi përpiluar konsiston në një ndihmë të madhe kryesisht në mësimdhënie dhe trajning nga ana e instruktorëve dhe trajnerëve më të mirë të Udinezes. Ata do të vijnë shpesh në Tiranë për të parë punën që do bëhet te FC Internacional dhe çdo tre muaj do ketë edhe trajnime në Akademinë e Udinezes, të talenteve më të mirë. E them pa modesti se kjo është dega e parë jashtë Italisë që hap klubi i Udinezes, i njohur gjerësisht për nxjerrjen e talenteve pothuajse çdo vit. Besoj se është një risi absolute në Shqipëri, e cila do t’u vijë në ndihmë atyre të rinjve që ëndërrojnë të luajnë një ditë në stadiumet më të mëdha të Europës”, ka pohuar Canollari.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/