UEFA ka befasuar Kombëtaren Shqiptare në grumbullimin e saj në Vienë, teksa skuadra ishte duke zhvilluar seancën stërvitore për miqësoren me Austrinë, më 26 mars. 10 prej futbollistëve iu nënshtruan në mënyrë te befasishme kontrolleve antidoping.

Lajmin e konfirmoi gazetari i Supersport, Dritan Shakohoxha në një lidhje telefonike për SportNews. Disa nga futbollistët e përzgjedhur për t’iu nënshtruar testit antidoping ishin Abrashi, Cana, Hysaj, Gashi, Xhaka, Memushaj, Berisha, Balaj apo dhe Shala.

Kombëtarja ka zhvilluar dy faza stërvitjesh, pasi De Biasi pjesën më të madhe të kohës nuk kishte në dispozicion lojtarët e sipër përmendur. Gjithashtu trajneri nuk bëri ndonjë provë të madhe për formacionin që do të hedhe në fushë që nga minuta e parë ndaj Austrisë. Kontrolleve nuk do t’i nënshtrohet vetëm Kombëtarja Kuqezi, pasi siç mësohet, UEFA të njëjtin veprim do të ndërmarrë me të gjitha skuadrat që do të marrin pjesë në Kampionati Europian “Francë 2016”.