Pas denoncimit, të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, mbi ofendime racise, nga ana e “bomberit”, Mirlind Daku, UEFA ka bërë të ditur se ka hapur hetime për ngjarjet në tribuna dhe pas sfidës mes Kroacisë dhe Shqipërisë, që u luajt në Hamburg, ku siç pritej pjesë e hetimit do të jetë edhe festimi në fund të ndeshjes i sulmuesit.

Sulmuesi kuqezi e ka kuptuar gabimin, duke u kërkuar falje tifozëve, ndërsa thekson se ka qenë i emocinuar pas barazimit me Kroacinë.

Postimi:

Përshëndetje të gjithëve. Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.

Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.

Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar. Me respekt, Mirlind Daku.