UEFA ka vendosur të marrë në dorë vetë situatën sa i përket zgjidhjes së problemeve për trukimin e ndeshjeve. Ndërkombëtarët tashmë po mendojnë si të hedhin hapat e radhës, për të ndaluar fenomenin e trukimeve që në rrënjë, në kampionatet përkatës, para se skuadrat ta bëjnë një gjë të tillë në aktivitetet e UEFA-s duke njollosur imazhin e saj.

Për këtë arsye, është propozuar dhe miratuar nga Komiteti Ekzekutiv ndërtimi i një strukture të re, një agjencie të pavarur e cila të merret vetëm me trukimet e ndeshjeve.

“Do të bëjmë një studim të kapaciteteve për krijimin e një agjencie të pavarur europiane kundër trukimeve. Nga tani e tutje kjo do të jetë puna jonë. Është një temë e gjerë. Nuk dihet ende me saktësi se çfarë do të ndodhë këtu, pasi në rastet e kaluara ka pasur shqetësim nga UEFA pasi disa juridiksione kombëtare nuk bashkëpunonin ose nuk bënin mjaftueshëm për të ndihmuar”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin para gazetarëve.

A është kjo agjensi e ndërtuar për të pasur me shumë hetime, apo veprim më të shpejtë? Cilat janë detajet dhe si do të funksionojë ajo?

“Ne nuk i kemi ende këto detaje, por gjëja më e rëndësishme është bashkëpunimi me qeveritë, pasi problemi ynë gjithmonë ishte dhe është se edhe pse ne dimë shumë gjëra, secila prej tyre duhet të hetohet. Problemi ynë kryesor është se juridiksioni ynë ndalet te futbolli. Nuk mund të përgjojmë telefonata, nuk mund të fusim njerëz në burg dhe me servera kompjuterikë që gjenden 10 mijë kilometra larg Europës, bëhet një problem gjithashtu”, shpjegoi Çeferin para gazetarëve vështirësitë me të cilat përballej që në parim kjo agjensi e re.

Mendohet se agjensia e re do të sinjalizojë dhe ndihmojë në mënyrë aktive, jo vetëm nëpërmjet dërgimit të raporteve, Federatat e ndryshme europiane kur konstatohet se ka ndeshje të manipuluara edhe në aktivitete kombëtare.