Tiranë, 24 prill 2014 – Ashtu siç ishte lajmëruar një delegacion i UEFA-s ka zbarkuar në Tiranë, për të marrë informacione mbi ecurinë e hetimeve të ndeshjeve të dyshuara për trukim në kampionatin shqiptar. Delegacioni i qeverisë europiane të futbollit, i përbërë nga Ulf Kluser dhe Emilio Garcia kanë patur një takim në Prokurorinë e Përgjithshme me drejtorin e hetimit Adnan Xholi, takim i cili zgjati për më shumë se 40 minuta.
Në përfundim të takimit delegacioni i UEFA-s është ndalur në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, edhe pse përgjigjet e tyre nuk ishin ato që priteshin. Shefi i komisionit të disiplinës pranë UEFA-s Emilio Garcia ka dribluar çdo pyetje duke falenderuar gazëtarët për interesimin.
“Nuk mund t’ju them asgjë se çfarë biseduam në Prokurori, pasi gjithçka është konfidenciale. Nuk mund t’iu them asgjë as për ndeshjet e dyshuara për trukim, por vetëm t’ju falenderoj për interesimin tuaj”,- tha Garcia.
Delegacioni i UEFA-s vjen pak muaj pas vizitës që bëri në Tiranë zv.sekretari Teodor Teodoridis, pikërisht për çështjen e ndeshjeve të dyshuara si të trukuara. Pavarësisht se nuk ka një deklaratë publike, qëllimi i kësaj vizite ishte për t’u informuar rreth ecurisë së hetimeve, në mënyrë që të merren masat për parandalimin e fenomenit të trukimit të ndeshjeve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





