UEFA njofton të gjithë tifozët se së shpejti nis procesi i shitjes së biletave të ndeshjeve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Të gjithë tifozët shqiptar në mbarë botën që duan të pajisen me bileta për ndeshjet e fazës së grupeve në Euro 2024, mund t’i blejnë në faqen zyrtare të UEFA-s.

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se nuk shet asnjë biletë për tifozët e Kombëtares, por biletat për ndeshjet e Shqipërisë apo ndeshjet e tjera të finaleve të Europianit do të shiten vetëm online në faqen e UEFA-s, në linkun www.uefa.com/euro2024/ticketing.

Tifozëve u kërkohet që të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe të aplikojnë për bileta për ndeshjet e preferuara të Kombëtares shqiptare.

Regjistrimi nis në datën 4 deri më 12 dhjetor 2023, pasi Kombëtarja shqiptare të njohë kundërshtarët në grup dhe stadiumet ku do të luajë.

Në momentin që regjistroheni, ju duhet të identifikoheni si tifoz i Kombëtares shqiptare, duke zgjedhur ndeshjet e Shqipërisë (flamur shqiptar).

Gjithashtu, ju duhet të përcaktoni edhe numrin e biletave që doni të keni në dispozicion. Me një llogari, ju mund të blini deri në 4 bileta për një ndeshje.

Nëse kërkesat dhe aplikimet tejkalojnë disponueshmërinë e biletave që i jepet si kuotë tifozëve shqiptarë, UEFA do të hedhë një short për të gjithë personat që kanë aplikuar si tifozë të Shqipërisë.

Fituesit do të njoftohen me e-mail për të paguar biletat e tyre në janar të vitit 2024.

Pasi të kryeni pagesën, do të njoftoheni për blerjen dhe bileta do të vijë në format elektronik vetëm në aplikacionin e UEFA-s (UEFA Mobile Tickets), që duhet ta keni të instaluar në telefonin tuaj.

UEFA bën me dije se biletat nuk do të shpërndahen tani, por gjatë muajve në vazhdim.

Kur biletat të jenë të disponueshme brenda aplikacionit, ju do të informoheni me e-mail. Ky e-mail do të përmbajë gjithashtu edhe një shpjegim të shkurtër të se si funksionon aplikacioni.

Shorti për fazën e grupeve do të hidhet të shtunën, më 2 dhjetor në Gjermani dhe Shqipëria do të njohë kundërshtarët e saj në këtë kompeticion.

Kombëtarja shqiptare është e pozicionuar në vazon e dytë të UEFA-s, pas rezultateve fantastike në këtë fushatë eliminatore dhe renditjes në vendin e parë në grupin E me 15 pikë.