Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i bindur se Superliga Europiane do të formohet brenda dy viteve.

Pavarësisht sfidave të shumta, vendimi i Gjykatës Europiane për Drejtësi ka hapur rrugën për kompeticionin më të ri për klube thotë kreu i katalanasve.

“Superliga Europiane do të nisë brenda 2025-ës dhe në fillim të rrugëtimit nuk do të jenë klubet angleze. Ato e kanë tashmë një Superligë, që është kampionati anglez. Do të jenë Reali e Barcelona, 4 klubet italiane si Interi, Milani, Roma e Napoli, francezët e Marseille, portugezet Porto, Benfica e Sporting Lisbona, holandezet Ajax e PSV dhe belget e Brugge dhe Anderlecht”, u shpreh Laporta.

Ai kujtoi se kompeticioni më i rëndësishëm në Europë, Champions League, nisi me më pak skuadra në 1955-ën dhe me shumë skepticizëm, për të arritur në nivele të jashtëzakonshme.