UEFA ka vlerësuar sërish tifozerinë shqiptare në ndeshjen kundër Francës. Nëpërmjet një albumi fotosh, UEFA i cilëson tifozët kuqezinj të shumtë në numër dhe pasionantë.
Në faqen zyrtare të UEFA-s për “Euro 2016” janë publikuar edhe disa foto të mijëra shqiptarëve, të cilët ndodheshin mbrëmjen e djeshme në shkallët e stadiumit “Velodrome”.
“Kombëtarja e Shqipërisë ndiqet nga një numër i madh pasionantësh”, shkruan UEFA, që bashkangjit ndër të tjera dhe foton e një çifti duke shkëmbyer një puthje.
Humbja e Shqipërisë ndaj Francës nuk e ka zbehur aspak festën e bukur sportive që dhuruan tifozët shqiptarë në Marsejë.





