DURRËS, 27 TETOR 2014– Ndonëse Komisioni i Disiplinës i UEFA-s ka dhënë që të enjten vendimin e vet rreth ndeshjes Serbi-Shqipëri, nuk dihet ende argumentimi me të cilin ai ka vendosur shpërndarjen e dënimeve për të dy kombëtaret. Si Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ashtu edhe Federata Serbe e Futbollit (FSS), kanë apeluar që të premten dënimet e tyre, por pa marrë ende një përgjigje nga zyrat e institucionit që drejton futbollin europian.
UEFA, përtej vonesës me një ditë të dhënies së vendimit, po vonon edhe etapat e tjera të procesit disiplinor, duke vonuar të dërgojë argumentimin sipas rregullave që i janë bërë akuzave ndaj Serbisë dhe Shqipërisë për të përcaktuar dënimet e tyre. FSHF kërkon që të mbyllë sa më shpejt dokumentacionin për ta dërguar në Komisionin e Apelit, por një gjë të tillë nuk mund ta bëjë pa pasur argumentimin e plotë që i është bërë në shkallën e parë akuzave për braktisje të ndeshjes dhe shfaqjen e një parulle të paligjshme. Studiot ligjore që po merren me çështjen dhe duan të bëjnë gati dokumentacionin e nevojshëm për shkallën tjetër, kanë mbetur në pritje të këtij argumentimi, i cili do të japë udhëzime të rëndësishme për sa i përket strategjisë që do të ndiqet për ta hedhur poshtë në Komisionin e Apelit. Pala shqiptare kërkon të shohë se mbi çfarë bazash është cilësuar “normal” rifillimi i ndeshjes pas dhunës së ushtruar kundër futbollistëve shqiptarë dhe pse është cilësuar si braktisje nga Shqipëria, kur kombëtares sonë nuk i është kërkuar asnjëherë shprehimisht të kthehet në fushën e lojës. Po aq kureshtje ka edhe për argumentimin rreth “shpalosjes së parullës së paligjshme” që i referohet fluturimit të dronit mbi stadiumin “Partizan” të Beogradit. Për sa kohë që policia serbe, e cila ka hapur hetime prej 11 ditësh, nuk po gjen dot fajtorin, duket e çuditshme se si Komisioni i UEFA-s fajëson Shqipërinë për të, pa pasur asnjë provë konkrete.
Ndërkohë, në Serbi, po mësohen me idenë që dënimi i UEFA-s për heqjen e tri pikëve mund të mos jetë i kthyeshëm në shkallët e tjera. Zëvendëspresidenti i Federatës Serbe, Ivan Çurkoviç, ndonëse është dakord me apelimin nga ana e FSS-së, e sheh thuajse të pamundur që UEFA të falë hyrjen e tifozëve në fushë. “Dështimi ynë është që persona me apo pa maska, të njohur nga UEFA, hyjnë në fushën e lojës. Dikush mund të thotë: Po, por është vetëm pasojë e provokimit. Jo, nuk ka asnjë justifikim ndaj asaj që ndodhi në fushë. Kjo është ajo që mendon UEFA. Nuk mund të shkosh në teatër dhe nëse nuk të pëlqen shfaqja që sheh, apo të shkosh në koncert dhe nuk të pëlqen muzika, të vendosësh të sulmosh këngëtarin. Po të mos ishte për pushtimin e fushës, ne do të fitonim ndeshjen 3-0, pa heqjen e pikëve”, tha ish-portieri i kombëtares serbe.
Nikola Maksimoviç– Mbrojtësi serb i Torinos, Nikola Maksimoviç, nuk ka ngurruar t’i cilësojë një ndihmë 3 golat që UEFA i ka dhënë kombëtares së tij, duke komentuar në mediat serbe vendimin e Disiplinës dhe raportin që ka me Migjen Bashën. “Që nga dita e parë kemi qenë miq me Bashën, kemi qenë shpesh në një dhomë bashkë. Ai ka pikëpamjen e tij, unë kam timen. Të dy besonim se UEFA do të ishte më e ashpër ndaj palës tjetër, ndaj të dy u çuditëm nga ai vendim, pasi edhe -3 është 0 pikë për ne. Në këtë histori, e vetmja gjë e mirë është diferenca e golave, që thotë se ne kemi shënuar 3 të tillë”, tha lojtari, i cili shtoi se “shqiptarët provokuan për të marrë 3 pikët”.
Tifozat KuqeZi– Protesta e tifozëve shqiptarë ndaj UEFA-s vazhdon pa u ndërprerë “online”. Gjatë këtyre ditëve, qindra mijë mesazhe janë dërguar në adresat e institucionit që drejton futbollin botëror, ndërsa me mijëra janë shpërndarë në faqet e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, për të shprehur indinjatën ndaj vendimit për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Por grupimi “Tifozat KuqeZi” ka gjetur një tjetër mënyrë origjinale për të marrë hak ndaj padrejtësisë që i është bërë Shqipërisë. “TKZ” ka postuar në faqen e vet në “Facebook” adresat e email-eve jo vetëm të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, por edhe të vetë Presidentit Mishel Platini, duke ftuar tifozët t’i bombardojnë me mesazhe proteste.





