Një fshat, në rajonin e Pembrokeshire, në Uells të Britanisë së Madhe, ka 81 ditë rresht që përjeton mot me shi. Por, sado çudi t’u duket të tjerëve, për fshatin Eglwyswrw kjo është mëse normale. Aq sa tani, televizioni britanik BBC raporton se banorët janë duke u lutur që shiu të vazhdojë dhe ata të thyejnë rekordin e vitit 1923, kur një fshat në Skoci regjistroi 89 ditë me shi pa pushim.

Shiu ka filluar që më 26 tetor të viti të kaluar dhe, sado pak, ai ka rënë çdo ditë.

Komuniteti i fshatit Eglwyswrw merret kryesisht me rritjen e bagëtive të imëta. Mediat raportojnë se fermerët kanë nisur të ankohen, pasi bagëtitë kanë muaj që nuk dalin nga stallat. Por, dyqanet e shitjes së çizmeve dhe çadrave nuk ankohen për gjendjen e krijuar.