Uellsi bën një hap historik me një biletë në xhep për në fazën çerekfinale të Euro 2016. Skuadra e Gareth Bale dhe Aaron Ramsey zhvilloi një 90-minutësh të kujdesshëm në derbin britanik ndaj Irlandës së Veriut, duke e dënuar skuadrën jeshile me një autogol të McAuley, i cili shtyu topin në rrjetën e portës së tij pas një harkimi që lindi nga këmbët e yllit të Uellsit, Gareth Bale.

Një ndeshje e ekujlibruar në çdo sektor të fushë së stadiumit “Parc De Princes”, por këtë herë zemra e irlandezo-veriorëve nuk mjaftoi për të arritur mes 8 më të mirëve të Europës. Në minutën e 10 ishte Dallas ai që vuri në provë uellsianin Hennessey-n, ndërsa Ramsey replikoi rreth 120 sekonda më pas me një krosim për Bale por topi i devijuar përfundoi në duart e McGovern-it.

Ishte Ward që krijoi rastin tjetër të rrezikshëm për irlandezo-veriorët, por gardiani uellsian reagoi sërish me saktësi. Pjesa e parë u mbyll me dominimin e lehtë të skuadrës së drejtuar Michael O’Neill, ndërsa në të 58-n Bale lëshoi një të majtë të fuqishme duke dhënë shkëndijën e parë.

Kur dukej se ndeshja kishte marrë rrjedhën e pakthyeshme drejt kohës shtesë, një aksion i rrjedhshëm i Uellsit i nisur nga Ramsey që pasoi për Bale, përfundoi me topin në këmbët e mbrojtësit kundërshtar, McAuley.Një goditje e fortë për shpresat e ishullorëve që nuk arritën të kalonin murin uellsian dukshëm të penalizuar nga cilësia në skuadër.

Minutat deri në fund rezultuan një formalitet pasi Uellsi cinik festoi kualifikimin historik në çerekfinale, duke u konfirmuar skuadra surprizë deri në këtë pikë të europianit. Në krahun tjetër, Irlanda e Veriut largohet nga Euro 2016 me kokën lart pasi arriti të tejkalonte çdo pritshmëri në europianin e parë të saj.