Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës ka reaguar lidhur me një situatë të ndodhur në qytetin e Durrësit, ku gazetari Aldo Mustafa është përballur me presion nga punonjës të Policisë Rrugore gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas UGSH-së, gazetari po filmonte veprimet e policisë në një zonë publike, ku prej muajsh kryhen punime dhe mungon sinjalistika, ndërkohë që qytetarët gjobiten për parkim të gabuar. Unioni e cilëson këtë sjellje si pengesë të pajustifikuar ndaj medias dhe cenim të së drejtës për informim.

UGSH, Dega Durrës i bën thirrje Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës që të reflektojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin e punonjësve për respektimin e lirisë së medias.

REAGIM I PLOTË:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Durrës, shpreh shqetësimin lidhur me situatën e krijuar gjatë ushtrimit të detyrës së gazetarit Aldo Mustafa në qytetin e Durrësit, një situatë që përbën reagim arbitrar dhe pengesë të pajustifikuar në përmbushjen e misionit të informimit të publikut.

Ndaj gazetarit Aldo Mustafa është ushtruar presion gjatë ushtrimit të detyrës në terren, teksa po filmonte veprimet e Policisë së Shtetit për vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve përgjatë rrugës në dalje të qytetit të Durrësit. Bëhet fjalë për një zonë ku prej muajsh zhvillohen punime dhe ku mungon sinjalistika përkatëse, ndërsa qytetarët rëndohen me gjoba për parkim të gabuar pa pasur alternativa parkimi në qytet. Kjo e bën raportimin mbi këtë situatë një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik.

UGSH, Dega Durrës vëren me shqetësim faktin se punonjësit e Policisë Rrugore nuk kanë pranuar identifikimin e gazetarit, pavarësisht se ai ka prezantuar kartën e gazetarit edhe në mënyrë virtuale. Ky refuzim për të njohur statusin profesional të gazetarit përbën një precedent të gabuar dhe bie ndesh me praktikën e bashkëpunimit institucional mes Policisë së Shtetit dhe medias.

Po ashtu, nuk është respektuar as fakti se në mbështetje të gazetarit kanë mbërritur menjëherë kolegë të tij, të cilët ndodheshin në terren, duke konfirmuar se Aldo Mustafa ishte në ushtrim të detyrës dhe në përmbushje të misionit të tij profesional.

Presioni i ushtruar ndaj gazetarit, përfshirë veprime që janë perceptuar si tentativë për ta penguar të vijojë punën e tij, krijon një klimë të papranueshme për punën e medias dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

UGSH, Dega Durrës thekson se detyra e gazetarit është të informojë publikun për gjithçka me interes për të, përfshirë mbi veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për masa që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Filmi­mi dhe dokumentimi i veprimeve të Policisë së Shtetit, kur kryhen në hapësira publike dhe në respekt të perimetrit të sigurisë, nuk përbëjnë shkelje, por janë pjesë e ushtrimit normal të profesionit të gazetarit.

Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: Pse duhet t’i frikësojë filmimi punonjësit e policisë në detyrë, nëse veprimet e tyre janë në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat? Transparenca në ushtrimin e detyrës forcon besimin e publikut dhe nuk duhet të perceptohet si kërcënim.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës rithekson se asnjë punonjës policie nuk mund dhe nuk duhet të pengojë një gazetar në ushtrimin e detyrës, për sa kohë ai respekton ligjin dhe rregullat e sigurisë. Raste të tilla, edhe kur nuk shoqërohen me masa ekstreme, krijojnë një precedent të rrezikshëm dhe ndikojnë negativisht në marrëdhënien mes medias dhe Policisë së Shtetit.

UGSH, Dega Durrës kërkon që të reflektohet mbi rastin dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
të ndërmarrë masa për rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve të saj mbi rolin e medias dhe domosdoshmërinë e respektimit të lirisë së informimit.

Respekti për gazetarin në detyrë është respekt për të drejtën e publikut për t’u informuar, përfshirë dhe punonjësit e policisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë,
Dega Durrës