Ku të shkosh për pushime dhe të shpenzosh pak?
Me këtë pyetje e përditshmja e njohur italiane “Today.it” ka publikuar në faqen e saj online një renditje të vendeve më të favorshme për të kaluar pushimet këtë fund gushti.
Në krye të tyre është pikërisht Shqipëria. Për vendin tonë thuhet se është një ndër destinacionet e reja për turizmin e plazhit me kosto të ulët, por që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet.
“Brigjet e Shqipërisë në detin Jon dhe Adriatik ofrojnë plazhe të pacenuara me ujëra të pastër kristal që nuk kanë asgjë për t’i pasur zili nga ato të resorteve më të njohura të Mesdheut” – citon media italiane. Sipas saj riviera shqiptare, në veçanti, është një parajsë e vërtetë për adhuruesit e detit. “Vende të tilla si Saranda, me plazhet e saj të bukura dhe afërsia me zonën arkeologjike të Butrintit, apo Ksamili, me ishujt e tij të vegjël që mund të arrihen duke notuar, garantojnë pushime me nivel të lartë buzë detit dhe me çmime të përballueshme” – shkruan Today.