TIRANË, 24 gusht 2013 – “Që rrugët tona përdoren edhe si vend për shkarkimin e ujërave të zeza, kjo është çudia me e madhe që mund të shohin sytë e të dëgjojnë veshët në një vend të botës. Dhe kjo ndodh në një prej autostradave më të reja të Shqipërisë, atë Plepa-Golem, një prej segmenteve me parametrat më modernë që mund të jetë ndërtuar në Shqipëri. Dy tuba shkarkojnë pa pushim tonelata pisllëqe të disa bizneseve, në të dy krahët e saj. Është padyshim një prej skandaleve më të mëdha! Jo vetëm për ndotjen, por edhe për sigurinë e autostradës. Ky është rekord për faqet e zeza të librit Gines!”, kjo gjuhë nuk i takon ndonjë politikani të së majtës apo komentuesve e analistëve që janë kundër Berishës. “Hartimin” televiziv e ka transmetuar Klan-i. Sipas medies së z. Frangaj, në autostradën Plepa-Golem, “mund të ketë kaluar këtu edhe vetë drejtori i Policisë së Durrësit, ai i policisë rrugore, drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, ministra e zëvendësministra. A e kanë parë pisllëkun që vështron mbi autostradë? A e kanë marrë mundimin qoftë edhe të pyesin se përse ndodh? Ky realitet tregon se jo”. Madje, pushteti i z. Frangaj është i tillë saqë “një patrullë u ndalua këtu vetëm me insistimin e grupit të xhirimit të TV Klan pranë drejtorit të policisë së Durrësit. Për jo më shumë se 5 minuta sinjalizuan drejtuesit e automjeteve që të bënin kujdes. Por vetëm kaq dhe më pas u larguan, duke thënë se nuk ishte kompetence të merreshin me këtë problematikë dhe se detyrimin për këtë e kishte Qendra e Kontrollit të Autostradave… Drejtori i kësaj qendre nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike dhe nuk e gjetëm as në zyrë. Po kjo gjendje nuk i bën përshtypje as Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve… Po Agjencia Rajonale të Mjedisit, a nuk duhej të shqetësohej?” dhe vazhdojnë një sërë pyetjesh retorike. Për TV Klan një “zinxhir institucionesh ose ka rënë në gjumë, ose drejtohet nga njerëz të paaftë e pse jo të pavetëdijshëm për detyrat që kanë. Tregon, se kush ka një detyrë e rol publik nuk mund të kërkojë vetëm rrogën në fund të muajit e duartrokitje nëpër konferenca e podiume, por para së gjithash duhet të përmbushë detyrimet që ia përcakton ligji’. Për çka ngrihet në këtë vëzhgim patetik, ka shkruar dhe portali i “Durrahut” durreslajm.com (shih http://www.durreslajm.com/aktualitet/foto-fakt-ujerat-e-zeza-te-shkembi-i-kavajes-derdhen-ne-autostrade), dy nga fotografitë e të cilit po i ribotojmë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/