Ujësjellës Kanalizime Durrës ka kryer ditën e djeshme lidhjen e tubacionit kryesor të ujësjellësit të ri me rrjetin shpërndarës të qytetit. Është dashur më shumë se 12 orë punë nga ana e grupit të punës për të mundësuar lidhjen në fjalë, e cila është bërë në afërsi të rrethrrotullimit të Kënetës.
Deri në këtë zonë mbërrin tubacioni i ri i ujësjellësit, ndërkohë që lidhja me rrjetin shpërndarës të qytetit është bërë me tubacionin me dimension 500 mm. Ky tubacion do të kryejë inaugurimin e ujësjellësit të ri duke shpërndarë ujin që do vijë nga puset e reja të Fushë Milotit në Kurbin.
UKD ka kryer edhe një lidhje tjetër të tillë para disa ditësh pranë kryqëzimit te dyqani i Dylit, i cili e dërgon ujin në depot që gjenden në kodrën e vilës, ndërkohë që pritet të realizohen gjatë ditëve në vijim disa lidhje te tjera në funksion të lidhjes së rrjetit shpërndarës me tubacionin e ri.
Paralelisht me to, punimet po kryhen edhe për ndërtimin e linjës së re me dimension 500 mm që merr ujë nga rrjeti i ri dhe e dërgon në depot e Arapajt për furnizimin me ujë të zonës së Plazhit. Sipas UKD-së, gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe deri në fund të muajit qershor, ujësjellësi i ri pritet të ketë filluar nga puna.





