Përmes fotove dhe materialeve filmike të publikuara në rrjete sociale, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve, Rajoni Durrës dokumenton pastërtinë e ujërave të ndotura pas trajtimit dhe pastrimit të tyre në dy impiantet e qytetit.

“Kjo është panorama e ujërave të ndotura, pasi trajtohen dhe pastrohen në dy impiantet e Durrësit në Shënavlash dhe Gjirin e Lalëzit. Këto impiante janë të një standardi të lartë dhe në to punon me përgjegjësi të lartë një staf i përgatitur dhe shumë i përkushtuar në punë. Rezultati është i dukshëm në dalje të impianteve, ku pas një procesi të ndërlikuar dhe me kosto të lartë, uji që derdhet është i pastër dhe brenda të gjtha paramentrave dhe normave evropiane”,– shkruan në një postim në rrjete sociale ndërmarrja e Ujësjellësit.

Në të njëjtën kohë, ndërmarrja nuk mohon lidhjet e paligjshme dhe jashtë çdo kriteri teknik nga persona të papërgjegjshëm, por nga ana tjetër thekson përkushtimin në punë të stafit të saj.
“Investigimet nëpër kanale të hapura për ujërat e shiut, përrenj lumenj, që nuk janë asete të ndërmarrjes sonë, ku janë lidhur njerëz të papërgjegjshëm dhe kanë ndërtuar jashtë çdo kriteri teknik, nuk kanë lidhje me punën tonë të përditshme dhe përkushtimin e punonjësve të UK Rajoni Durrës. Ne vazhdojmë me përkushtim për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve të Durrësit dhe gjithë zonës që mbulon shoqëria”.- shkruan UKD.





