Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton të gjithë abonentët të cilët janë larguar nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit se mund t’i pezullojnë kontratat e furnizimit me ujë me UKD duke filluar që nga ky muaj. UKD bën me dije se pezullimi i kontratës do të jetë falas (ndërkohë që më parë ky veprim kushtonte 2000 lekë).

Për pezullimin e përkohshëm të kontratës abonentët duhet të paraqiten personalisht pranë zyrave të UKD-së dhe të kenë me vete librezën e ujit dhe kartën e identitetit. Afati për pezullimin e kontratave është deri në 31 janar 2020.

Për abonentët të cilët momentalisht jetojnë jashtë vendit dhe nuk mund të vijnë në Shqipëri deri në 31 janar 2020, ata duhet të dërgojnë një email në adresën:  [email protected] me të dhënat personale dhe një foto të kartës së identitetit me të cilën është lidhur kontrata e furnizimit me ujë.

Më pas do të jetë UKD që do të kryejë veprimet për pezullimin e kontratës pa qenë ata vetë të pranishëm. Në lidhje me pagesën e faturës për muajin nëntor, UKD njofton se nuk do të aplikohet kamatë në rast të vonesës nga ana e qytetarëve, duke pasur parasysh problemet e shfaqura nga pasojat e tërmetit.