·       Gati nisja e punimeve për rrjetin e ri të ujërave të zeza në Plazh

DURRËS, 27 maj 2015 – Ujërat e zeza nuk derdhen më në det, kështu reagon Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime (UKD) sha Durrës ndaj një lajmi të përhapur në mediet ndërkombëtare me burim nga Durrësi.

Impianti ka një vit e gjysmë që punon me kapacitet të plotë

Prej afro një viti e gjysmë në fshatin Shënvlash funksionon plotësisht impianti i trajtimit të ujërave të zeza, thotë për “Dyrrah”-un zyra e shtypit e UKD-së. Ndonëse impianti u përurua nga ish-kryeministri Berisha, për pak kohë nuk filloi të punonte, ujësjellësi i Durrësit, nga i cili varet edhe impianti, thotë se ai ka plot një vit e gjysmë që punon me kapacitet të plotë, duke trajtuar rreth 30 mijë metra kub ujëra të ndotura në 24 orë. Me ndërtimin e kolektorit të ri të ujërave të zeza dy vjet më parë, i cili nis nga Shkëmbi i Kavajës dhe përfundon tek impianti, nuk ka më probleme të rrjedhjes së ujërave në det. Bashkë me ndërtimin e kolektorit u ri-konstruktuan 5 stacionet ekzistuese të pompimit përgjatë kësaj vije si dhe u ndërtuan 5 stacione të reja. Për shkak të këtyre investimeve si dhe punës që po bëhet në mirëmbajtjen e kolektorit kryesor si dhe stacioneve të pompimit nga shkëmbi i Kavajës deri tek ura e Dajlanit, është e garantuar që plazhi i Durrësit nuk ka fare ndotje nga ujërat e zeza. Kolektori i ri funksionon prej dy vitesh dhe paralel me të funksionon edhe kolektori i vjetër në zonën e Plazhit, i cili në disa pika bashkohet me të riun duke grumbulluar të gjitha ujërat e zeza dhe duke i dërguar drejt impiantit në Shënavlash.

Ndërtimi i rrjetit dytësor dhe tretësor të ujërave të zeza

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime (UKD) sha Durrës pritet të fillojë punën në shtator të këtij viti për ndërtimin e rrjetit dytësor dhe tretësor të ujërave të zeza në zonën e Plazhit. Bëhet fjalë për zonën nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit me një investim 5 milionë euro. Ky investimi është pjesë e marrëveshjes së Bankës Botërore që është nënshkruar me qeverinë shqiptare për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën turistike së bashku me instalimin e matësve në të gjithë zonën që furnizon me ujë UKD-ja. Burime nga Ujësjellës Kanalizime Durrës kanë bërë të ditur se aktualisht tenderi për shpalljen e firmës fituese është në fazën e fundit dhe në muajin shtator do të nisin punimet. Ndërtimi i rrjetit dytësor dhe tretësor të ujërave të zeza në zonën e banuar midis rrugës kryesore të Plazhit dhe shinave të trenit  do të bëjë që më pas ato të lidhen me kolektorin kryesor, i cili ka dy vite që funksionon. Ky investim do të nxjerrë jashtë funksionit gropat septike që janë në zonën e banuar të Plazhit, ndërsa do të përmirësojë ndjeshëm higjienën e zonës turistike.

Aktualisht në zonën e Plazhit ka nisur edhe investimi i bashkisë për mbylljen e kanalit të hapur që nis nga sektori Iliria dhe përfundon tek Ura e Dajlanit. Projekti parashikon pastrimin e këtij kanali, thellimin e tij dhe vendosjen e tubacioneve prej betoni me diametër 1000 mm. Më pas kanali do të mbyllet dhe do të ndërtohet sipër tij një rrugë e re. Ky kanal do të funksionojë më pas për të mbledhur vetëm ujërat e shiut, ndërsa kanalizimet e ujërave të zeza do të jenë tërësisht të ndara dhe do të bashkohen me kolektorin kryesor të ujërave të zeza që nis nga Shkëmbi i Kavajës dhe  që përfundon tek impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash.

Situata e ujërave të zeza në qytet

Për shumë vite nuk është kryer asnjë investim për rehabilitimin e stacioneve të pompimit dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytet. Aktualisht stacioni nr. 8, që gjendet në hyrje të shëtitores “Taulantia”, i pompon një pjesë të ujërave që vijnë nga lagjja nr. 1 drejt impiantit, por një pjesë derdhen në det. Megjithatë situata edhe për qytetin pritet të ndryshojë, pasi nga fondi i Bankës Botërore që është nënshkruar në marrëveshjen me qeverinë shqiptare, është parashikuar një komponent për këtë qëllim. Do të jenë 4 milionë euro që do të investohen për këtë qëllim. Investimi parashikon të ndërtohen tre kolektorë të rinj që do të mbledhin ujërat e zeza nga zona kodrinore e qytetit për t’i dërguar në stacionin nr. 8, që gjendet në hyrje të shëtitores “Taulantia”. Më pas ato do të shkojnë drejt stacionit nr. 7, te stadiumi, dhe më pas në stacionin nr. 9, në hyrje të zonës së ish-kënetës, ku ky i fundit i dërgon drejt impiantit. Ky investim pritet të nisë shumë shpejt, brenda këtij viti, sapo të kryhen procedurat e tenderimit.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/